Smart News

Protestat e punonjësve shëndetësorë në Tetovë, premtime të reja për problemin e vjetër, Aliu: Do të mundohemi të gjejmë zgjidhje

Një nga prioritetet e ministrit të ri të Shëndetësisë do të jetë zgjidhja e statusit të punës jo vetëm për infermieret e Tetovës por për të gjithë punonjësit në shëndetësi. Këtë mes tjerash e tha vetë Azir Aliu në daljen e tij të parë si ministër i Shëndetësisë, shkruan Portalb.mk.

Kur u pyet se si parashihet të rregullohet statusi i infermiereve të Tetovës të cilat kërkojnë vendime pune, pasi me vite punojnë me kontrata dhe së fundmi dolën edhe në protesta, Aliu tha se problemi me kapacitetin njerëzor është në të gjithë klinikat.

“Në përgjithësi, në ditën e dytë si ministër i Shëndetësisë pata takim me drejtorët e klinikave, një nga pyetjet ishte me çfarë sfida ballafaqoheni në moment dhe kush është zgjidhja më e shpejtë për atë sfidë. Besoni se të gjithë drejtorët në klinika një prej sfidave e kanë kapacitetin njerëzor, pra duke pasur sfidë kapacitetin njerëzor dhe duke qenë ministër i shëndetësisë nënkuptohet se kjo është një prej prioriteteve unë që duhet ta bëj”, tha Aliu.

Ai tha se nesër (e martë) do të jetë në Tetovë ku do të takohet edhe me drejtorin e spitalit ku do të shqyrtohet edhe çështja e të punësuarve me kontrata dhe pa vendime.

“Gjithsesi është në prioritet edhe do duhet të zgjidhet sa më shpejtë për të gjithë të punësuarit në ekosistemin e shëndetësisë”, tha Aliu.

Javët e kaluara punonjësit shëndetësorë me kontrata të cilët janë rreth 140 protestuan pasi nuk kishin marrë rroga ndërsa kërkuan edhe vendime pune.

Pas protestave, nga Spitali Klinik i Tetovës u premtuan se do tu paguhen pagat e prapambetura si dhe kontrata në vepër deri në fund të vitit.

Megjithatë, personeli mjekësor nuk është i kënaqur me këtë zgjidhje, ata kërkojnë vendime pune.

Kujtojmë që drejtori i Spitalit të Tetovës, Agim Berisha para tre javëve theksoi se ky problem pritet të zgjidhet brenda këtij muaji dhe se kjo çështje varet nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Financave.

Ndërsa para dy javëve, ministrja e Financave Gordana Dimitrievska Koçoska ka thënë se Ministria e Financave është përgjigjur në kohë dhe pozitivisht për punësimet në Spitalin e Tetovës. Ajo u bëri thirrje institucioneve shëndetësore që të respektojnë procedurën kur kërkojnë pëlqimin për punësim.

Lëvizjet në Shëndetësi kanë bërë që ky sektor të mos gjejë “qetësi”.

Nga ana tjetër, sistemi shëndetësor në Maqedoninë e Veriut po zbrazet dita ditës. Në vitin 2024, sistemi i kujdesit shëndetësor primar në Maqedoninë e Veriut shënoi ulje të ndjeshme si në numrin e kontratave të lidhura ashtu edhe në numrin e mjekëve të përgjithshëm. Sipas të dhënave të publikuara në Fondit për Sigurim Shëndetësor, numri i përgjithshëm i kontratave të lidhura në kujdesin shëndetësor primar ishte 2.077, që përfaqëson një ulje prej 55 kontratash krahasuar me vitin 2023. Gjithashtu, numri total i mjekëve në këtë sektor në vitin 2024 ishte 2.796, që është 45 më pak se një vit më parë. Vetëm në kategorinë e mjekëve të përgjithshëm, këtë vit janë regjistruar 1.499 mjekë aktivë, 8 më pak se në vitin 2023./Portalb.mk/

Exit mobile version