Qindra protestues marshuan në rrugët e Jerusalemit dhe qytete të tjera izraelite për të shprehur zemërimin e tyre ndaj planit të Kryeministrit Benjamin Netanyahu për një pushtim të plotë të Qytetit të Gazës.
Mes tyre ishte edhe ish-ushtari Max Kresch, i cili mbante një pankartë me mbishkrimin:
“Unë refuzova.”
Ai tha: “Ne jemi mbi 350 ushtarë që shërbyen gjatë luftës dhe po refuzonim të vazhdonim të shërbenim në luftën politike të Netanyahut”, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Protestat përfshinë qytete si Haifa, Tel Aviv dhe Jerusalemi, ndërsa mesazhi ishte i qartë: kundërshtim ndaj përshkallëzimit të luftës dhe kërkesë për kthimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Plani i qeverisë izraelite, i miratuar nga kabineti i sigurisë, përfshin pesë “parime” për përfundimin e luftës: çarmatosjen e Hamasit, kthimin e të gjithë pengjeve, demilitarizimin e Rripit të Gazës, marrjen e kontrollit të sigurisë në territor dhe krijimin e një administrate civile që nuk është as Hamasi dhe as Autoriteti Palestinez.
Mirëpo, ky vendim ka nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare.
OKB paralajmëroi se një marrje e plotë ushtarake e kontrollit do të sillte “pasoja katastrofike” për civilët palestinezë dhe për pengjet izraelite ende të mbajtura në Gaza.
Kundërshtime ndaj këtij plani kanë shprehur edhe vende të fuqishme si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Australia, Turqia, Finlanda dhe Kanadaja.