Të pranohet ankesa e të akuzuarve, të hiqen dënimet me burg dhe të kthehet në rigjykim lënda për falsifikim të rezultateve zgjedhore, është udhëzimi që kanë dhënë prokurorët e lartë Mustafa Hajrullai dhe Dilaver Bekteshi për Gjykatën e Apelit Shkup për funksionarët e BDI-së Ejup Halimi dhe Ismet Guri, sipas burimeve nga Prokuroria publike e Maqedonisë së Veriut.
Ky është rasti i vetëm në qeverisjen 18 vjeçare të BDI-së me dënim të shqiptuar nga gjykatë e shkallës së parë për ndonjë vepër të kryer penale nga ndonjë funksionar i tyre.
Nuk ka procese tjera gjyqësore, madje nuk ka as hetime të reja.
Presedani qëndron në atë se në vend se të qëndrojë përkrah prokurorisë, Prokuroria e lartë kërkon të pranohen ankimimet e të akuzuarve.
Në misionin shpëtimtar për Halimin, ish koordinator i grupit parlamentar të BDI-së në Kuvend dhe bashkëpunëtor i liderit Ali Ahmeti, Prokuroria e lartë e Shkupit, e udhëhequr nga Mustafa Hajrullai, bëri një presedan të ngjashëm me pasaportat e të dënuarve. Në dhjetor të vitit të kaluar dërgoi mendim deri te Gjykata e Apelit Shkup që të ju kthehen pasaportat, të cilat Apeli i kishte marrë si masë kundër arratisjes së mundshme.
Më 31 mars vitin e kaluar, gjykatësja Marija Kletniçka nga Gjykata themelore penale i dënoi me nga 3 vjet e gjysmë burgim Halimin dhe Gurin për falsifikim në zgjedhjet lokale të vitit 2013 në Çair./SmartNews/