Prodhuesit e kriptovalutave: Qeveria po na detyron t’i shesim

e postuar më at 13:43
4 0

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, ka bërë që disa qytetarë të fillojnë t’i shesin pajisjet e tyre, nga të cilat kanë fituar mijëra euro në vitet e fundit.

Njoftimet për shitje po bëhen kryesisht në grupe të ndryshme në rrjetet sociale, ku zakonisht diskutohet vetëm për çështjen e kriptovalutave.

Çmimet janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga 1,500 e deri në 8 mijë euro, varësisht prej pajisjes.

Radio Evropa e Lirë ka komunikuar me disa prej tyre, të cilët në kushte anonimiteti kanë thënë se janë detyruar t’i ndalin pajisjet, të cilat i kanë blerë më shtrenjtë dhe tash po i shesin më lirë.

Njëri prej tyre tha në një përgjigje me shkrim se është detyruar t’i shesë tri pajisjet e tij, pasi nuk dëshiron të veprojë në mënyrë kundërligjore.

“I kam pasur tri pajisje dhe të tria i kam shitur, sepse Qeveria nuk ka dhënë afat se për sa kohë do të ndalohet prodhimi i kriptovalutave. Po të kishte një afat, do t’i ndalonim përkohësisht. Të tri pajisjet i kam shitur 1,500 euro”, tha ai.

Shitblerja e pajisjeve për prodhim të kriptovalutave po bëhet edhe në një grup me qindra qytetarë në aplikacionin ‘Telegram’.

“Kam filluar qe më shumë se 6 muaj të prodhoj kriptovaluta. Për momentin kam një pajisje (Rig 5700xt 6-GPU). E kam blerë 7 mijë euro. Pesë mijë euro i kam marrë kredi për ta blerë. Çdo muaj prej kësaj pajisje i kam fituar 500 deri 600 euro”, tha njëri prej tyre në kushte anonimiteti.

Vendimi i Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, sipas tij, është pak i ngutshëm dhe shpreson që i njëjti të anulohet.

Ai tha se ende nuk ka vendosur nëse do ta shesë pajisjen, pasi që, sipas tij, nuk shpenzon shumë rrymë.

Bie çmimi i pajisjeve
Përveç shitjes së pajisjeve, qytetarët kanë filluar t’i tërheqin fitimet e tyre të fituara nga prodhimi i kriptovalutave.

Në njërën nga kompanitë për këmbimin e kriptovalutave në Prishtinë, thonë se ata qytetarë që kanë kritpovaluta, tashmë kanë filluar t’i tërheqin fitimet, ndonëse aktualisht vlera e tyre ka rënë.

Ardian Alaj, bashkëpronar i njërës prej kompanive për këmbim të kriptovalutave, tha se me datat 4 dhe 5 janar ka qenë një fluks më i madh i njerëzve, të cilët kanë këmbyer valutat e tyre.

Ai tha se vendimi i Qeverisë nuk ka pasur shumë sqarime dhe njerëzit ndihen të rrezikuar se çfarë do të ndodhë me valutat e tyre.

“Kemi klientë të rregullt që çdo muaj vijnë i konvertojnë fitimet e tyre për nevoja të rrymës, internetit dhe nevojat e tyre personale, por këto dy ditë fluksi i njerëzve ka qenë më i madh dhe sasia e këmbimit të valutave ka qenë shumë e madhe krahasuar me muajt paraprakë”, tha Alaj.

Sipas tij, pas vendimit të Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, ka filluar të bjerë çmimi i pajisjeve në faqe të ndryshme online ku qytetarët i postojnë fotografitë e pajisjeve të tyre.

“Ajo çka po vërehet është se çmimi i pajisjeve ka pësuar rënie shumë të madhe. Zakonisht blerja e një pajisje, ka kushtuar deri 5 mijë euro, tash mund të gjendet në treg me 2,000-2,500 euro”, tha Alaj.

Sipas Doganës së Kosovës, vetëm gjatë vitit 2021, në Kosovë janë importuar pajisje për prodhim të kriptovalutave në vlerë rreth 600 mijë euro.

Qeveria zotohet se do t’i ndalojë kriptovalutat edhe në veri

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të enjten se do të identifikohen lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë Republikën e Kosovës. Në dy operacione të ndara, Policia e Kosovës tha më 6 janar se ka sekuestruar 70 aparate për prodhimin e kriptovalutave.

Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, zyra për media e Qeverisë ka njoftuar se pas identifikimit do të ndërpritet prodhimi i kriptovalutave, duke përfshirë edhe veriun e Mitrovicës.

Mirëpo, zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se kjo kompani e ka të pamundur t’i identifikojë lokacionet ku prodhohen kriptovalutat, e aq më pak në veri të Kosovës.

“Identifikimi i lokacioneve ku prodhohen kriptovaluta, nuk është kompetencë e KEDS-it. Dihet që nuk e furnizojmë veriun dhe nuk kemi qasje atje, e kemi të pamundur”, tha Buzhala, duke shtuar se e kanë të vështirë të dinë edhe sa shpenzojnë rrymë këto pajisje.

Në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës thuhet se “në vitin 2021 është rritur konsiderueshëm konsumi i energjisë elektrike dhe një ndër faktorët e rritjes së konsumit besohet të jetë prodhimi i kriptovalutave në vend, me theks të veçantë në veri të vendit”.

“Sa për ilustrim, prodhimi i një kriptovalute, duke marrë parasysh shifra konservative, konsumon energji sa afro 19 shtëpi kosovare mesatare në vit”, thuhet në përgjigje.

Që prej vitit 1999, furnizimi me energji elektrike në pjesën veriore të Kosovës është problem.

Që nga ajo kohë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar.

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar në katër komuna në veri të Kosovës.

Së fundmi, Kosova po përballet me krizë energjike, pas rritjes së importit të energjisë. Autoritetet kanë miratuar masat emergjente për energji.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar të martën, më 4 janar, se institucionet kompetente do të angazhohen që të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave, pasi dyshohet se pajisjet me të cilat prodhohen ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike. /REL

A M

nga kategoria