Prindërit e viktimave të zjarrit të madh që ndodhi në disko-klubin “Pulse” më 16 mars, sërish marshuan nëpër rrugët e Koçanit, duke shprehur pakënaqësi ndaj reagimit të institucioneve. Kjo ishte hera e dhjetë që ata dalin në protestë, me fishkëllima dhe thirrje kritike përpara disa lokacioneve kyçe – përfshirë kafenenë e pronarit të “Pulse”, Komunën e Koçanit, stacionin policor, gjykatën dhe prokurorinë.
Prindërit publikisht kërkuan përgjigje nga organet kompetente. Ata këmbëngulën për një takim me Prokurorinë dhe i drejtuan pyetje ministrit të Punëve të Brendshme: pse policia kontrollonte një objekt që nuk kishte licencë dhe funksiononte me llogari të bllokuar? Gjithashtu, u pyet nëse policët që atë natë kishin kryer kontroll në disko, kishin qenë aty për shkak të dyshimeve për drogë dhe nëse kishin vepruar sipas ligjit.
Një baba, fëmija i të cilit kishte humbur jetën në zjarr, mbajti një fjalim ku pretendoi se policia po ushtronte presion mbi të rinjtë që të mos dëshmojnë në hetim.
Përpara gjykatës dhe prokurorisë, prindërit përsëritën pyetjen: Pse objekti “Pulse” nuk ishte mbyllur, megjithëse kishte punuar për 217 ditë me llogari të bllokuar?
Pak ditë më parë, këto familje ishin thirrur për të parë aktakuzën që përfshin 34 persona fizikë dhe 3 persona juridikë në këtë rast.
Në fund, prindërit kërkuan që protesta e ardhshme të jetë masive, me pjesëmarrje nga mbarë vendi, me qëllim që tragjedi të tilla të mos godasin familje të tjera.