Smart News

Pjesëtari i Armatës së Maqedonisë së Veriut vritet me armë zjarri në Batincë të Shkupit

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm në hyrje të fshatit Batincë të Shkupit, ku një person është qëlluar me armë zjarri dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, përcjell INA.

Drejtori i Spitalit të Qytetit “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup, Nebojsha Nastov në një deklaratë për TV21 tha se viktima është sjellë pa shenja jete në spital.

Viktima është identifikuar si A.M., 50-vjeç, pjesëtar i Armatës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas informacioneve paraprake nga Ministria e Punëve të Brendshme, rasti është raportuar në Polici rreth orës 10:15. Sipas njoftimit zyrtar, një person ka qëlluar me armë zjarri ndaj një tjetri në hyrje të fshatit Batincë.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po kryen hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërkohë që motivet dhe rrethanat e kësaj vrasjeje mbeten ende të paqarta.

Autoritetet pritet të dalin me më shumë detaje gjatë ditës.(INA)

Exit mobile version