Smart News

Përjashtimi vazhdon: Shqiptarët larg pozitave vendimmarrëse në RMV

Shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ngjashëm si numerikisht, nuk qëndrojnë mirë në përfaqësim të drejt dhe adekuat as kur bëhet fjalë për pozicione udhëheqëse administrative. Portalb.mk ka analizuar disa institucione shtetërore, për atë se sa shqiptarë ka në pozita udhëheqëse.

Në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Sportit asnjë udhëheqës sektori nuk është shqiptar.

Në Ministrinë e Financave nga 15 këshilltarë shtetërorë vetëm një është shqiptar.

Në Ministrinë e Kulturës nga 22 pozicione udhëheqëse vetëm 4 janë shqiptarë.

Gjendja nuk është më e mirë as në Agjencinë e Komunikimeve Elektroteknike, nga 11-të këshilltarë të drejtorit vetëm 2 janë shqiptarë. Po në këtë institucion, nga 10 udhëheqës sektori vetëm 1 është shqiptar.

Kujtojmë se, Portalb.mk në një analizë së fundmi prezantoi numrat e përfaqësimit etnik në disa institucione që janë në disproporcion me numrin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut sipas regjistrimit të popullsisë. Nga të dhënat e siguruara rezultoi se në Presidencë, Ministrinë për Transformim Digjital, Ministrinë e Sportit, Bankën Popullore, MEPSO dhe Agjencinë e Administratës, shqiptarët janë të nënpërfaqësuar.

Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut vazhdimisht ka akuzuar qeverinë aktuale se po punëson pa asnjë barëspeshë sa i përket përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

Ndërkaq protagonistët e koalicionit VLEN tash e një kohë të gjatë vazhdimisht dalin me deklarata se është në përfundim procesi i zgjidhjes ligjore për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, që nga shfuqizimi i mekanizmit juridik “Balancuesi”. Por një zgjidhje e tillë ligjore po zvarritet me muaj të tërë.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk po mbahet llogari për përkatësinë etnike.

Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit./Portalb.mk/

Exit mobile version