Përfaqësimi politik i grave, Selimi: Vendosja e kuotave, mentalitet i mesjetës

e postuar më at 18:08
95 0

Dita Ndërkombëtare e Grave në vend të festës, të shndërrohet në protestë të grave për rikapitulim të të drejtave të tyre për barazi në shoqëri, vlerëson opinionisti, Sefer Selimi. Në një kohë para fushate për zgjedhjet lokale, Selimi konsideron se do të ishte mirë që ti hidhet një vështrim situatës së përgjithshme të përfaqësimit të grave në politikë, ku diskriminimi është i dukshëm sidomos në përfaqësimin e tyre në listat zgjedhore në bazë të kuotave.

“Politika kryesisht që mos të them plotësisht dominohet nga burrat. Është e turpshme për një shoqëri që pretendon të ec përpara në aspektin e zhvillimit ose të ketë progres në aspekt të instalimit të vlerave të reja dhe të mirëfillta europiane ende përfaqësimin e grave ta bëjë nëpërmjet kuotave. Mentaliteti i kuotave është mentalitet për shoqëri të cilat kanë ngelur ende në mesjetë.”,- deklaroi analisti, Sefer Selimi.

Organizimi politik i grave, Selimi: Të zhbëhen forumet e grave

Çështja e përfaqësimit të grave s’duhet mbetur vetëm retorikë politike, por këtë mentalitet të ri partitë ta instalojnë në praktikë, thotë Selimi. Sipas tij pjesë e ndryshimit të këtij mentaliteti dhe fuqizim të zërit të grave në vendimmarrje është edhe zhbërja e forumeve të grave.

“Gratë nuk janë specie e veçantë brenda partive politike. Ato meritojnë të jenë të përfaqësuara në mënyrë të drejtë dhe të barabartë në të gjithë hierarkinë e partive politike, njashtu edhe në qeverisjen e vendit. Imagjinoni sikur Angela Merkel të ishte kryetare e forumit të grave, d.m.th. edhe kjo është e turpshme që gratë ti organizojnë dhe t’i ndajnë në një organ të veçantë brenda partisë. Vendi i grave është në kryesinë e partisë, të përfaqësuara siç duhet denjësisht dhe në mënyrë të barabartë.”,- theksoi analisti, Sefer Selimi.

Se gratë nuk janë të përfaqësuara në mënyrë adekuate në jetën publike e thotë edhe raporti i OSBE-së. Në vlerësimin e tyre për zgjedhjet e parakohshme parlamentare vitin e kaluar, theksohet se gratë përbënin 39 % të anëtarëve të parlamentit në largim, megjithatë numri i tyre në poste të larta drejtuese, duke përfshirë postet e ministrave dhe të kryetarëve të komunave mbetet i ulët. Kërkesa për përfaqësim prej 40% në listat zgjedhore u respektuan, megjithatë gratë ishin bartëse të listave vetëm 24%./Tvm2

nga kategoria