Tenderi i fundit për pastrimin e Vilës “Vodno” dhe institucioneve të tjera shtetërore parasheh një çmim prej 73,73 denarësh për metër katror në muaj për mirëmbajtjen e higjienës në mjediset e brendshme. Kjo është një rritje e çmimit prej pothuajse 50% krahasuar me tenderin paraprak në vitin 2022 (49,53 denarë/m2) dhe rreth 230% krahasuar me vitin 2018 (32,12 denarë/m2), shkruan 360 Gradë, transmeton Portalb.mk.
Drejtori i Shërbimit qeveritar për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta thotë se rritja e çmimit para së gjithash është për shkak të rritjes së pagës minimale. Por në të njëjtën kohë, nuk ka një trend kaq të theksuar të rritjes së çmimeve për mirëmbajtjen e hapësirave të jashtme.
Vila “Vodno” është zyra e punës e presidentit të shtetit. Kështu që pa dyshim që ajo duhet të jetë gjithmonë e pastër dhe funksionale. Jo vetëm për shkak të delegacioneve që vijnë atje.
I gjithë shteti duhet të jetë i pastër, por kjo është një temë tjetër. Shërbimi i Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta i Qeverisë kujdeset për mirëmbajtjen dhe higjienën e Vilës “Vodno”, si dhe të objekteve të tjera të administratës shtetërore. Kjo bëhet përmes tenderëve periodikë, përmes të cilëve angazhohen kompani për pastrim dhe mirëmbajtje.
“Kontratën e fundit për pastrim ShPPP e nënshkroi pak kohë më parë, gjegjësisht në fund të muajit maj të këtij viti. Atë e fitoi kompania “Sted – Komerc”, me një ofertë prej rreth një milion euro. Pjesën e mirëmbajtjes, me vlerë shtesë prej 800 mijë eurosh, e fitoi “Bigor Cleaning”. Vlera e përgjithshme e të dy kontratave arrin rreth 1,8 milion euro. Arsye të mjaftueshme për të bërë pyetje.
Filluam duke krahasuar çmimet për shërbimet në tenderët e fundit, me ato paraprak – nga viti 2022. Kur bëhet fjalë për mirëmbajtjen e higjienës në një hapësirë të brendshme, çmimi është rritur nga 49,53 denarë në 73,73 denarë. Ose, për tre vjet kjo është një rritje prej rreth 49 përqind. Mirëmbajtja, nga ana tjetër, është bërë më e shtrenjtë dhe atë nga 39,11 në 55 denarë, që është 40 përqind më shumë për tre vjet.
Ky konstatim ishte bazë për pyetjen tonë të parë drejtuar drejtorit të Shërbimit të Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, i cili pranoi të jepte intervistë. Ivica Tomovski u përgjigj se rritja e çmimit është e arsyetuar në treg.
“Vlera e parashikuar e këtij prokurimi është rritur nga udhëheqësia e mëparshme. Pra, në planin për prokurimet publike ata kanë paraparë një rritje të çmimit për 30% dhe unë u pajtova me këtë sepse paga minimale është rritur për disa herë. Në këtë biznes njerëzit zakonisht punojnë për pagë minimale… Kjo është arsyeja për një çmim kaq të lartë. Sepse kur e rritni pagën minimale, gjithçka tjetër rritet. Edhe çmimi i pastrimit për metër katror dhe preparatet dhe mjetet dhe gjithçka rritet”, tha Tomovski.
Duke e konsideruar pagën minimale si një shpenzim kyç, Tomovski na tha se në kontratat e fundit ekziston një klauzolë sipas së cilës palët kontraktuese kanë të drejtë t’i ndryshojnë çmimet nëse ka ndryshime në Ligjin për Pagën Minimale.
Por kjo gjë bëri që të lindin pyetje shtesë.
Kur bëhet fjalë për mirëmbajtjen e higjienës së mjediseve të jashtme, çmimi për metër katror në tenderin e vitit 2022 ishte 6,39 denarë në muaj, ndërsa në vitin 2025 jo vetëm që nuk u rrit, por edhe u ul – dhe atë në 6,24 denarë për metër katror në muaj.
Nga ana tjetër mirëmbajtja në vitin 2018 ka kushtuar 20,92 denarë për metër katror në muaj, që do të thotë se për shtatë vjet është rritur për 260 përqind.
Rritja e çmimeve në përqindje duket e madhe edhe kur merret parasysh rritja e pagës minimale dhe inflacioni.
“Së pari, për gjashtë vjet nuk kanë bërë asnjë ndryshim në çmimet e mëparshme, ndërkohë që ka pasur rritje të pagës minimale. Nuk po flasim për tre vitet e fundit, por për gjashtë vjet dhe kjo është një pjesë ku ato përqindje janë mbledhur për të bërë një nivelim. Për tenderin e mëparshëm kanë punuar 25 persona në pjesën e higjienës, për tenderin e ri 43 persona. Mirëmbajtja sipas tenderit të ri 13 persona, sipas tenderit të vjetër 8, ndërsa kur i mbledhim sipërfaqet e të gjitha mjediseve, tani pastrohen dhe mirëmbahen mbi 50.000 metra katrorë, ndërsa më parë 30.000 metra katrorë. Nëse i mbledhim të gjitha këto të dhëna që i prezantova, atëherë çmimi është i arsyeshëm”, thotë drejtori i ShPPP-së.
Duke marrë parasysh se sa shpejt rritet çmimi i këtyre shërbimeve, lind dilema – a është ndoshta më mirë që vetë institucionet të punësojnë përsëri punonjës për higjienë dhe mirëmbajtje?
“Ne bëmë edhe analiza që t’i marrim ne këta punonjës, të punojnë për ne, por me pagën minimale ose më të ulët që mund ta paguajmë ne si ShPPP, bëra një përllogaritje të përafërt dhe rezulton se për një tender për tre vjet vetëm për higjienë, të cilin kompanitë e fituan për 61 milionë, do të duhet të paguajmë 84 milionë dhe kjo vetëm mbi bazë të pagave, pa e përfshirë këtu punën e kaluar, pajisjet, mjetet dhe produktet për higjienë”, tha Tomovski.
Ndërsa çmimet e numrit më të madh të tenderëve, përfshirë këtu edhe ato për pastrim dhe mirëmbajtje, në një masë të konsiderueshme varen nga konkurrenca – sa më shumë konkurrentë, aq më të lira janë mallrat dhe shërbimet.
Edhe pse tenderët për pastrim dhe mirëmbajtje vlejnë qindra mijëra, madje edhe miliona euro, në tenderin e fundit kishte vetëm dy ofertues. Nuk ka ndryshuar shumë gjatë këtyre viteve.
“Ka një lloj kufizimi në atë pjesë të kompanive. Mund të them me siguri se i kemi ulur kriteret, unë nuk i kam ulur 100 përqind, por në fund të fundit bëhet fjalë për një shtet dhe dua që ulja të jetë hap pas hapi, ndërsa konkurrenca të rritet. Prisja më shumë konkurrencë për shkak të uljes së kushteve, kishte interes dhe pyetje, por kjo është ajo që është, kaq kompani aplikuan, e realisht të shpallet një tender për një shtet, që e mbulon të gjithë vendin, e të jetë pa as një kriter të vetëm, edhe kjo nuk mund të bëhet”, tha Tomovski.
Kompania që është zgjedhur për mirëmbajtjen e Vilës “Vodno 1”, dhe institucioneve të tjera, është pjesë e grupit të zgjedhur për pastrimin dhe mirëmbajtjen edhe të objekteve të tjera të administratës shtetërore. Bëhet fjalë për një tender të veçantë që u zhvillua në fund të vitit të kaluar dhe në të cilin gjithashtu nuk pati konkurrencë të madhe. Çmimi i përgjithshëm për të ishte rreth 9,6 milionë euro.
Si këto ashtu edhe kontratat e fundit janë të lidhura për një afat kohor prej tre vjetësh. Që do të thotë se çështja e çmimeve, konkurrencës dhe racionalitetit do të rihapet sërish në fillim të vitit 2028./Portalb.mk/