Pas kandidaturës së pavarur të Mendi Qyrës në Strugë, një tjetër figurë del në skenë politike me të njëjtin format. Visar Ademi, përmes një njoftimi publik, ka shpallur kandidaturën e tij të pavarur për kryetar të Komunës së Gostivarit, shkruan Flaka
“Të dashur miq, dua të ndaj një lajm të madh me ju. Nga sot shpall kandidaturën time të pavarur për kryetar të Komunës së Gostivarit. Pres përkrahjen tuaj për ta bërë Gostivarin qytet më të mirë për të gjithë. Shihemi në qytet”, ka shkruar Ademi në rrjetet sociale.
Ademi do të ketë përballë kandidatin e ASH-së së Arben Taravarit, Valbon Limani i cili ka përkrahajen e Frontit Evropian dhe BDI-së, tani të paralajmëruar si Fronti Kombëtar.
Kandidatura e tij vjen në një atmosferë të ngjashme me atë të Mendi Qyrës në Strugë, i cili fillimisht u paraqit si i pavarur, por më pas mori përkrahjen e koalicionit VLEN. Ky zhvillim ngjalli reagime dhe dyshime nga opozita shqiptare, e cila e akuzoi Qyrën si kandidat të afërt me VMRO-DPMNE, duke pretenduar se kandidatura e tij është koordinuar përmes zyrës së liderit të kësaj partie, Hristijan Mickoski.
Ende nuk është e qartë nëse edhe kandidatura e Visar Ademit do të përfitojë më vonë përkrahje të strukturuar politike, por precedentët e fundit sugjerojnë një strategji të re zgjedhore nga blloku aktual qeveritar.
Zgjedhjet lokale priten të jenë të tensionuara dhe me garë të ngushtë, veçanërisht në komunat me shumicë shqiptare, ku ndikimi i koalicioneve dhe i pavarurve pritet të jetë vendimtar. /Flaka/