Pa shëndet, nuk ka ekonomi! Kufizimet dhe masat shtrënguese

e postuar më at 21:00
70 0

Branimir Jovanoviq thotë se nuk dallim midis shëndetit dhe ekonomisë publike, për shkak se sipas tij, edhe përvojat e shteteve si Spanja, Britania e Madhe, Belgjika… tregojnë se sa më të këqija janë bilancet shëndetësore, aq më të këqija do të jenë edhe rezultatet ekonomike.

Në shtetet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanin Perëndimor po zgjasin debatet dhe kundërshtimet për masat më të fuqishme kufizuese për lëvizjen e lirë të popullatës dhe mbajtjen gjallë të ekonomisë me mbylljen e saj të pjesshme apo më të madhe. Me fjalë të tjera , po zgjasin dilemat midis masave shtrënguese nga njëra anë – që do të mbajnë nën kontroll më të madh pandeminë , dhe masave më të buta që do të lejojnë punën e subjekteve ekonomike në mënyrë më të lirshme. Nuk mund të ketë një ekonomi të mirë nëse shëndeti publik nuk është në gjendje të mirë, andaj edhe prioritet numër një për shtetin duhet të jetë shëndeti, ndërsa pas vendosjes në kontroll të pandemisë – duhet më shumë të mendojmë për ekonominë, vlerësojnë një pjesë e ekonomistëve më të dalluar në vend.

Eksperti ekonomik, Branimir Jovanoviq, në një prononcim për gazetën KOHA, thotë se është i gabueshëm perceptimi që qarkullon në opinion se, ekziston dallim midis shëndetit publik dhe ekonomisë publike, për shkak se, sipas tij, edhe përvojat e shteteve si Spanja, Britania e Madhe, Belgjika… tregojnë se sa më të këqija janë bilancet shëndetësore, aq më të këqija do të jenë edhe rezultatet ekonomike. “Tani në këto kushte në vend, në radhë të parë duhet të kemi prioritet shëndetësinë dhe përmirësimin e situatës me pandeminë dhe pastaj të mendojmë për ekonominë. Nuk nevojitet të mbyllet e tërë ekonomia, por vetëm kafiteritë, restorantet dhe qendrat e mëdha tregtare, që duhet t’u sigurohet ndihma e nevojshme ekonomike”, vlerëson Jovanoviq. Sipas tij, të gjithë të tjerët duhet të punojnë me respektimin e masave për t’u mbrojtur nga pandemia, aty ku ka mundë si duhet të punohet nga shtëpia… “Nuk besoj se ora policore është një masë e mirë për shkak se ndikon negativisht tek popullata. Njëherësh nuk na nevojiten edhe masa të tilla si mbajtja e maskës në mjediset e hapura apo jashtë, për shkak nga ana tjetër, kemi grumbullime të popullatës në ambiente të mbyllura si në kafiteri ku nuk mbahen maska”, shton më tej Jovanoviq. Paralajmërimet për një vëmendje më të madhe ndaj shëndetit në raport me ekonominë vijnë në një periudhë kur dita ditës po rriten shifrat e të sëmurëve nga Covid-19, po rritet edhe fluksi i të sëmurëve që shtrihen në spitale në mbi 1300 pacientë, po hapen kapacitetet të reja spitalore, ndërsa sistemi shëndetësor me vështirësi të mëdha po përballon shifrat në rritje të të sëmurëve.

Problem më vete është edhe vonesa e vaksinimit në masë të gjerë të popullatës. Komisioni për Sëmundje Ngjitëse të hënën sërish vazhdoi orë n policore prej 22 deri në 5:00 të nesërmen deri më 6 prill, ndërsa është e mundshme që brenda javës të miratohen edhe masa të tjera kufizuese.

Nga ana tjetër, profesori universitar i mikrobiologjisë, Nikolla Panovski, vlerëson se nevojitet të kufizohet vendi ku popullata e kalon kohën dhe jo të kufizohet liria e lëvizjes. Apo thënë ndryshe, ai nuk është për kufizimin e lëvizjes, por vlerëson se popullata duhet të jetë e lirë të lëvizë jashtë. “Numri i të sëmurëve do të fillojë të bie atë herë kur do të kemi frikë nga shifrat e mëdha të personave që ndërrojnë jetë e që shkojnë edhe përtej 25 në ditë. Njëherësh kemi çdo ditë nga 1000 raste të reja, ndërsa tre herë është më i madh numri i rasteve që as nuk detektohen”, thekson Panovski. Sipas tij, më mirë do të ishte të mbyllen të gjitha veprimtaritë që nuk janë thelbësore, por një hap i tillë është vështirë i realizueshëm në aspektin ekonomik.

Nga ana tjetër, eksperti ekonomik, Branimir Jovanoviq, thotë se rezultatet e këqija shëndetësore i përkeqësojnë edhe pritjet në shoqëri, sjellin paqartësi lidhur me të ardhmen, kufizojnë konsumin dhe investimet e bizneseve dhe qytetarë ve, që sjell uljen e kërkesës agregate dhe ngadalëson edhe aktivitetet ekonomike. Në ndërkohë, Italia ka shtrënguar masat kufizuese deri në datën 6 prill, për të parandaluar një valë të re të koronavirusit, duke qenë se janë Pashkët. Përderisa kancelarja gjermane Angela Merkel ka shfuqizuar vendimin e saj për një bllokim të rreptë gjatë Pashkëve.

Gjatë një samiti me udhëheqësit e Landeve, Merkel dha vendimin e saj të papritur për heqjen e bllokimit. Vendimi u mor pas kritikave të ashpra ndaj masave të fundit anti-Covid, të cilat janë konsideruar të tepërta. (koha.mk)

nga kategoria