Pa rezultate partneriteti privato-publik

e postuar më at 18:26
74 0

Analizat e organizatave joqeveritare tregojnë se suksesi i dobët i Maqedonisë për të shfrytëzuar një model alternativ të financimit të projekteve të ndryshme, aty ku shtetit i mungojnë para, ndërlidhet me mungesën e një metodologjie që do të tregojë se sa një projekt është i suksesshëm, mos azhurnimin e të dhënave për shumat e marrëveshjeve të kontraktuara midis pushtetit dhe partnerit privat, si dhe kohëzgjatjen e projektit.

Maqedonia e Veriut, në tetë vitet e kaluara – që kur është miratuar Ligji për koncesione dhe partneritet privato-publik, nuk mund të lëvdohet me ndonjë sukses të madh në këtë fushë. Në nivel vendi, deri tani janë realizuar vetëm 29 projekte të partneritetit privato-publik, ku dominojnë projektet në komuna. Bile mungojnë edhe projektet më të mëdha të realizuara në dobi të investitorit dhe shtetit. Sukseset më të mëdha janë Aeroporti i Shkupit dhe ai i Ohrit, ndriçimi rrugor në më shumë komuna si dhe Zona ekonomike në Tetovë… Projektet me të cilat nuk mund të lavdërohemi janë edhe ajo e deponisë “Drislla” në Shkup, si dhe kompleksi turistik “Makedonsko Selo”.

Ekspertët e kësaj fushe vlerësojnë se një lloj marrëveshje e tillë afatgjate ofron mundësi të mirë për zhvillimin e infrastrukturës aty ku shteti nuk ka mundësi materiale, mirëpo shtojnë se nevojitet analizë më serioze për arsyeshmërisë ekonomike dhe përfitimet apo shërbimet e më të mira dhe më cilësore për qytetarët. “Shumë projekte të partneritetit privat dhe publik në vend nuk kanë qenë të suksesshme sepse ka munguar analizë dhe studim i qëndrueshëm. Andaj, gjatë përgatitjes dhe realizimit të tyre, nuk duhet të ketë nxitim dhe ato duhet të përgatiten më mirë”, thotë eksperti Zoran Martinovski.

Sipas tij, shkaqet tjera të dështimeve të këtyre projekteve është edhe llogaridhënia e pamjaftueshme, numri i vogël i firmave me përvojë në realizimin e tyre, kostoja e lartë për përgatitjen e dokumentacionit, si dhe paqartësia se sa një investim i tillë do të jetë fitimprurës për investitorin. Nga ana tjetër, po përgatiten edhe ndryshime ligjore që duhet të miratohen deri në fund të këtij muaji, e që parashohin avancimin dhe përmirësimin e dobësive të Ligjit ekzistues për partneritet privat-publik dhe për koncesione. Për një sukses më të madh të këtij modeli në të ardhmen, fjalën e fundit se a do të jenë projektet e tilla të qëndrueshme në aspektin ekonomik, do ta kenë Ministritë e Financave dhe ajo e Ekonomisë. Njëherësh, me ndryshimet ligjore do të përforcohet roli dhe kompetencat e Ministrisë së Ekonomisë, si organ i fuqishëm mbikëqyrës përgjatë tërë procesit të realizimit të projekteve nga fillimi dhe deri në përfundimin e tyre.

Gjithashtu, Maqedonia renditet ndër shtetet që më pak shfrytëzojnë modelin e partneritetit publiko-privat, e që paraqet një mënyrë financimi nëpërmjet së cilës – një autoritet publik u bën thirrje investitorëve privatë për financuar dhe menaxhuar një instalim në shërbimin publik. Partneri privat merr si kundërvlerë një pagesë prej partnerit publik, ose prej përdoruesve të shërbimit që ai menaxhon.

Në ndërkohë, analizat e organizatës “Analitika” tregojnë se suksesi i dobët i Maqedonisë për të shfrytëzuar një model alternativ të financimit të projekteve të ndryshme, aty ku shtetit i mungojnë para, ndërlidhet me mungesën e një metodologjie që do të tregojë se sa një projekt është i suksesshëm, mos azhurnimin e të dhënave për shumat e marrëveshjeve të kontraktuara midis pushtetit dhe partnerit privat, si dhe kohëzgjatjen e projektit. Në “Analitika” thonë se financimi i projekteve të partneritetit privato-publik në Maqedoni duhet të realizohet me kujdes për shkak se në parim paraqet edhe rritjen e borxhit në nivel lokal dhe shtetëror./Koha.mk

nga kategoria