Lajme
Pa goma dimërore dhe zinxhirë, s’ka qarkullim nga 15 nëntori
Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët se nga data 15 nëntor deri më 15 mars, në përputhje me dispozitat e Ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor (“Gazeta Zyrtare e RM” nr. 169/15, 226/15, 55/16, 11/18, 83/18 dhe 191/18), si dhe Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 70/19, 98/19, 302/20, 122/21, 33/24, 208/24 dhe 193/25), të gjitha automjetet që marrin pjesë në qarkullimin publik duhet detyrimisht të posedojnë pajisjet e përcaktuara dimërore.
Sipas dispozitave të Rregullores për pajisjet e detyrueshme të automjeteve (“Gazeta Zyrtare nr. 31 nga viti 2010”), pajisje dimërore për automjetet motorike konsiderohen:
Për automjetet motorike deri në 3.500 kg:
Goma dimërore në të katër rrotat, me thellësi minimale të shollës (profilit) prej 4 mm në gjithë sipërfaqen e kontaktit;
Goma verore në të katër rrotat me të paktën 4 mm thellësi, nëse automjeti mban në pajisje zinxhirë bore të përshtatshëm për rrotat lëvizëse ose mjete të tjera ndihmëse të ngjashme.
Për automjetet me tërheqje në të katër rrotat (4×4):
Goma dimërore në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej 6 mm;
Goma verore në të katër rrotat me thellësi prej të paktën 4 mm, nëse automjeti mban zinxhirë bore. Në rast të tërheqjes së përhershme, zinxhirët duhet të vendosen të paktën në boshtin e pasmë, ndërsa në rast të tërheqjes së përfshirë sipas nevojës, në boshtin që është aktiv në mënyrë të përhershme.
Për automjetet mbi 3.500 kg:
Goma dimërore në rrotat lëvizëse, me thellësi minimale të profilit prej 6 mm;
Goma verore në të katër rrotat me të paktën 4 mm thellësi, nëse automjeti mban zinxhirë bore të përshtatshëm për rrotat lëvizëse ose pajisje të tjera ndihmëse;
Autobusët dhe automjetet e ngarkesës që, për arsye teknike, nuk mund të vendosin zinxhirë bore në rrotat lëvizëse, duhet të kenë goma dimërore në to dhe mjete ndihmëse – lopatë.
Gomat dimërore janë ato që në anën e tyre kanë shënimin “MS”, “M+S”, “M & S” dhe simbolin e borës mbi një mal me tre maja.
Sipas rregullores për pajisjet e detyrueshme të automjeteve, ndalohet përdorimi i gomave me gozhda në qarkullimin rrugor.
MPB apelon tek drejtuesit e mjeteve që të respektojnë detyrimin ligjor për posedimin e pajisjeve dimërore, pasi kështu sigurohet zhvillimi i qetë dhe i sigurt i komunikacionit në kushte dimërore.
