Editorial nga SmartNews.mk
Anketa e së vërtetës: VLEN pa Arben Taravarin dhe ASH-në, bie nga 13% në 7.7% – pa legjitimitet, pa përkrahje, pa të ardhme
Largimi i Aleancës për Shqiptarët nga VLEN, nën drejtimin e Arben Taravarit, u shoqërua me një valë sulmesh dhe propagande nga vetë liderët e atij subjekti, të cilët zgjodhën të shpifin në vend që të reflektojnë. Por koha e nxori të vërtetën në dritë dhe e vërteta sot vjen përmes shifrave të ftohta: VLEN ka rënë nga 13% në vetëm 7.7% mbështetje publike.
Kjo rënie nuk është rastësi. Ajo flet qartë për një humbje të thellë të besimit qytetar ndaj një formacioni që, pasi humbi përbërësin e tij më substancial Aleancën për Shqiptarët zgjodhi të ecë përpara mbi bazën e kalkulimeve të brendshme, e jo mbi vullnetin dhe legjitimitetin demokratik.
Zëvendësuan partneritetin me përfaqësues të vërtetë, me pozita të ndara në tryeza të mbyllura; zëvendësuan vizionin me propagandë dhe përfaqësimin me servilizëm.
Në vend që të përballeshin me pasojat e ndarjes, drejtuesit e VLEN-it zhvendosën gjithë energjinë në drejtim të një fushate denigruese, duke shpifur në mënyrë të vazhdueshme ndaj drejtuesve të ASH-së dhe sidomos ndaj profilit politik që gëzon respekt të gjerë, brenda dhe jashtë vendit. Por siç po dëshmohet sot, shpifjet nuk ndërtojnë mbështetje, e as nuk fshehin boshllëkun politik.
Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët, me përgjegjësi dhe maturi, ka zgjedhur të ecë përpara me dinjitet dhe konsistencë. Qytetarët dinë të bëjnë dallimin mes atyre që flasin për popullin vetëm kur u duhet vota dhe atyre që mbrojnë interesin publik në çdo rrethanë.
Anketa e fundit është më shumë se një sinjal: është një kujtesë e qartë se forca politike pa legjitimitet real nuk ka jetëgjatësi.
Pa Aleancën dhe pa përfaqësuesit e saj, VLEN nuk është më alternativë, por thjesht një montazh politik që nuk bind dhe nuk frymëzon askënd.