Osmani: Vizita në Spanjë, për të avancuar bashkëpunimin ekonomik

e postuar më at 23:03
90 0

Maqedonia e Veriut është bërë një “provë zjarri” për kredibilitetin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), kështu që negociatat për pranimin e saj në bllok nuk mund të vazhdojnë të shtyhen, sipas ministrit të saj të Jashtëm, Bujar Osmani.

“Do të ishte gabim i rëndë gjeostrategjik” për të vonuar më tej fillimin e këtyre negociatave, të cilat prekin edhe Shqipërinë, sepse kjo “do të ketë pasoja dhe degëzime” në të gjithë rajonin e Ballkanit, theksoi Osmani, në vizitën zyrtare në Madrid, gjatë një interviste me Efe.

Përparimi i Maqedonisë së Veriut në pranimin e diversitetit, pajtimit dhe marrëdhënieve me vendet e saj fqinje “duhet të shihet si pikë referimi për rajonin dhe të shpërblehet,” tha Osmani.

Për këtë arsye, sipas mendimit të tij “është shumë e rëndësishme që BE të gjejë një mënyrë” për të filluar zyrtarisht negociatat e pranimit “pa vonesa të mëtejshme”.

Vetëm një vit më parë, në samitin e Marsit të 2020, krerët e shteteve dhe qeverive të BE miratuan hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Sidoqoftë, procesi ndalet në rastin e Maqedonisë së Veriut nga vetoja e Bullgarisë, e cila kërkon që fqinji i saj të pranojë se të dy vendet kanë histori dhe gjuhë të përbashkët.

Qeveria e Sofjes konsideron se sllavët e Maqedonisë së Veriut janë bullgarë që flasin dialekt të bullgarishtes, por të cilëve regjimi komunist i Jugosllavisë u dha identitet dhe gjuhë të re “maqedonase”.

Osmani është i bindur se, sapo të mbarojnë zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Bullgari në Prill, “do të hapet rruga për një qasje më racionale” për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe.

Sipas Osmanit, të gjitha vendet anëtare të BE, me përjashtim të Bullgarisë, mbështesin tekstin e propozuar nga Komisioni Evropian mbi kornizën negociuese me të cilën do të vendoset zyrtarisht dialogu i pranimit.

“Është e rëndësishme që teksti i kornizës së negociatave të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur, ne shpresojmë që të ndodhë në Këshillin Evropian të planifikuar për në Qershor,” tha ministri, i cili u takua me ministren e jashtme spanjolle, Arancha González Laya.

Në atë takim, González Laya e siguroi atë se Spanja do të mbështesë dhe ndihmojë Maqedoninë e Veriut në procesin e saj të negociatave për pranimin në BE.

Ministri kujtoi gjithashtu se takimi me homologen e tij u zhvillua duke përkuar me përvjetorin e parë të ratifikimit në Senatin Spanjoll të protokollit të pranimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, diçka që e lejoi vendin të bashkohej me Aleancën Atlantike disa ditë më pas.

Marrëdhëniet politike me Spanjën “janë të shkëlqyera”, sipas Osmani, por ka “potencial të humbur ekonomik”, pasi tregtia bilaterale është mezi 170 milion euro në vit.

“Na duhet një qasje më sistematike midis institucioneve tona për të lidhur ndërmarrjet dhe për të shkëmbyer informacione,” komentoi Osmani mbi marrëveshjen e arritur me González Laya për të hartuar plan pune për të promovuar një prani më të madhe të kompanive spanjolle në Maqedoninë e Veriut.

Më tej ai ka detajuar se mundësitë e investimeve për kompanitë spanjolle në vendin e tij janë në sektorë të tillë si energjia, trajtimi i ujërave të zeza, bashkëpunimi i mbrojtjes ose turizmi.

Nga ana tjetër, Osmani i është referuar pandemisë Covid-19 dhe ka siguruar që “fatkeqësisht” vendi i tij tani “po hyn në valën e tretë”.

Ai shpjegoi se procesi i vaksinimit është vonuar për shkak të problemeve të shpërndarjes së Covax, iniciativë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të siguruar qasje globale në vaksinën kundër Covid-19.

Vaksinat e para që vendi mori ishin nga Pfizer/BioNTech dhe të dhuruara nga Serbia dhe dozat e Sputnik V u blenë gjithashtu nga Rusia për t’u përdorur tek punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Vaksinimi masiv pritet të fillojë në fund të këtij muaji, kur fillojnë të mbërrijnë doza të Covax.

nga kategoria