Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, tha se pas çdo suksesi të vendit tonë qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
„Pas çdo suksesi të shtetit tonë, por edhe të vendeve në rajon, qëndron vula e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe jam krenar që si ministër i parë në rajon e kam nënshkruar dialogun strategjik me Uashingtonin. Ai nuk ishte vetëm një dokument, por një proces që i nxiti edhe shtetet tjera në rajon ta ndjekin të njëjtin koncept“, deklaroi Osmani.
Osmani tha se pezullimi i dialogut strategjik është një test serioz për elitën politike në Kosovë, por edhe një sinjal i fuqishëm për tërë rajonin.
“Nuk ka alternativë për partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne e kemi vendosur politikën e dy shteteve si qëndrim zyrtar të Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ky ishte qëndrim që përputhej me Bashkimin Evropian. Tani shohim dalje kundër BE-së dhe kundër politikës sonë zyrtare. Qeveria duhet të përgjigjet pse është ndryshuar kursi pas disa vitesh, kur ishte qartë e përcaktuar se ky është interes evropian dhe shtetëror. Qeveria, e veçanërisht partia shqiptare në të, duhet të sqarojë se kur dhe ku është marrë ky vendim. Kush e ka thirrur seancën dhe kush e ka mbështetur këtë kthesë, me të cilën votohet kundër politikës së dy shteteve në Lindjen e Mesme. Populli meriton përgjigje”, tha Osmani.
Osmani shtoi se Maqedonia e Veriut nuk guxon të lejojë devijim nga orientimi evropian dhe nga partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.