Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike duke cituar paragrafin 80 të Raportit të Parlamentit Evropian, ku për herë të parë përmendet hapur ndikimi i konceptit të “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut, shkruan Flaka
“Parlamenti Evropian shpreh shqetësim për projektin e ashtuquajtur ‘bota serbe’ dhe faktin që disa përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut e kanë mbështetur dhe promovuar këtë koncept; dënon pjesëmarrjen në takime që synojnë krijimin e një sfere ndikimi që minon sovranitetin e vendeve të tjera dhe stabilitetin e rajonit”, citon Osmani.
Ky qëndrim i Parlamentit Evropian është një sinjal i fortë politik për rrezikun që paraqet avancimi i projekteve gjeopolitike me bazë etnike dhe proruse në rajon, të cilat, sipas Osmanit, po gjejnë mbështetje edhe brenda institucioneve shtetërore në Shkup.
“Ky nuk është më vetëm qëndrim politik i yni. Është vlerësim zyrtar nga Bashkimi Evropian”, shkruan Osmani në rrjetet sociale.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur debati publik mbi orientimin ndërkombëtar të Qeverisë ZNAM–VMRO–VLEN është ashpërsuar ndjeshëm, pas raportimeve për pjesëmarrje të përfaqësuesve të saj në forume që promovojnë bashkëpunim rajonal me prirje anti-perëndimore. Flaka