Nismat në Kushtetuese për gjuhët dhe “Prespën”, Hoxha: Procedurat kanë qenë ligjore

e postuar më at 19:53
69 0

Qeveria nuk komenton nismat në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e shpalljes së dekretit për ligjin e gjuhëve dhe dekretit për ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së Prespës. Pushteti vlerëson se procedurat kanë qenë ligjore.

Qeveria qëndron si pas ligjit për përdorimin e gjuhëve, ashtu edhe pas Marrëveshjes së Prespës dhe angazhohet në zbatimin e tyre në praktikë. Konsiderojmë se janë respektuar të gjitha procedurat edhe gjatë miratimit të ligjit në fjalë si dhe gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës- deklaroi Muhamed Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.

Duke filluar që një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese në disa seanca përgatitore do të shqyrtojë argumentet e ankimuesve për kushtetutshmërinë e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe dekretit të ligjit si dhe dekretit për Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë. Iniciativat janë nga disa subjekte, VMRO-DPMNE-ja, “E Majta”, Kongresi maqedonas botëror, profesorja Sollza Gërçeva si dhe individë të tjerë.

Iniciatorët akuzuan kushtetuesen që qëllimisht ka shtyrë marrjen e vendimit. Sipas tyre, kjo gjykatë duhet të prononcohet nëse publikimi i dekreteve të të dy ligjeve në Gazetën Zyrtare, pa nënshkrimin e kreut të shtetit, është ose jo kushtetuese. Gjykata Kushtetuese deklaroi se ka shtyrë shqyrtimin e këtyre nismave, për shkak se ka pasur nisma më me prioritet.

Të dy ligjet, edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve edhe ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, u miratuan për herë të dytë me 2/3 e votave në 2018-ën. Ata u publikuan në Gazetën Zyrtare vetëm me nënshkrimin e kryeparlamentarit Talat Xhaferi, meqë Presidenti i atëhershëm Gjorge Ivanov kishte refuzuar të firmosë dekretet./Alsat

nga kategoria