Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, ka nënshkruar një kontratë bashkëpunimi me kompaninë ARBËRIA-DESIGN DOOEL nga Tetova – firmë që dikur ishte në qendër të akuzave publike për lidhje të ngushta me BDI-në dhe përfitime të dyshimta nga tenderët shtetërorë, informon PressOnline.al
Kontrata është nënshkruar më 23 prill 2025, dhe kap vlerën e 500,000 denarëve me TVSH. Ajo parasheh furnizimin me materiale të shtypura dhe promovuese për nevojat e ministrisë që drejtohet nga Murtezani, si broshura, libra me logo, stilolapsa, USB, çanta, flamuj dhe stenda reklamimi.
Kjo kompani ishte kritikuar ashpër më parë nga vetë Alternativa dhe koalicioni aktual VLEN, për dominim në tenderët e institucioneve të drejtuara nga BDI-ja dhe për favore të dyshimta politike. Madje edhe vetë Murtezani, në kohën kur ishte në opozitë, kishte dalë publikisht kundër bashkëpunimit institucional me Arberia Design.
A po bëhet edhe Murtezani pjesë e “lojës” që dikur e luftonte?
Apo po dëshmohet se në Maqedoninë e Veriut, pushtetet ndërrohen por marrëdhëniet me bizneset e afërta mbeten të njëjtat?
Ky zhvillim ndodh në një moment kritik për Maqedoninë e Veriut. Shteti ende nuk ka përmbushur ndryshimet kushtetuese, ndërsa mungesa e reformave kërcënon rrugën drejt integrimit evropian. Sipas Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, nëse vendi nuk përmbush obligimet deri në vitin 2027, fondet e premtuara në miliarda euro mund të humbasin.(PressOnline.al)