Nesër zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, fushata u karakterizua me shumë tensione

e postuar më at 20:42
195 0

Në Shqipëri të dielën zhvillohen zgjedhjet parlamentare pas një fushatë zgjedhore e përcjellë me tensione, por edhe incidente të rënda siç ishte ai në Elbasan ku u vra një persona pas një përplasjeje mes dy grupeve lidhur me akuzat për blerje votash.

Të drejtën e votës e kanë mbi 3.5 milion votues të cilët duhet të zgjedhin përbërjen e re parlamentare prej 140 deputetësh. Në garë janë 46 subjekte politike, mëgjithatë dy janë forca kryesore politike që synojnë pushtetin, Partia Socialiste e drejtuar nga kryeministri aktual Edi Rama dhe Partia Demokratike në opozitë, e drejtuar nga Lulzim Basha që kërkon ta marrë drejtimin e vendit pas 8 vjetësh në opozitë. Partia Socialiste fushatën e kishte përqendruar në vaksinimin masiv anti COVID-19, në projektet e mëdha në infrastrukturë, porte, aeroporte dhe autostrada, duke thënë se ato do të nxisin zhvillimin ekonomik të vendit dhe punësimin e qytetarëve. Partia Demokratike është fokusuar në mirëqenien sociale, në situatën e vështirë sociale dhe ekonomike, papunësinë, largimin e rinisë nga Shqipëria dhe rindërtimin e një sistemi të besueshëm të drejtësisë. Një parti tjetër që synon të marr vota është Lëvizja Socialiste për Integrim që udhëhiqet nga Monika Kryemadhi. Kjo parti, tradicionalisht ka qenë e vogël në përfaqësim në Kuvend, por ka luajtur rol në ndërtimin e qeverive përmes koalicioneve paszgjedhore. Përfaqësuesit e misioneve diplomatike në Shqipëri kanë qenë të zëshëm gjatë gjithë muajt të fushatës zgjedhore, duke ju bërë thirrje qytetarëve të Shqipërisë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, janë të tetat në 29 vjet, ku qytetarët votojnë për qeverinë e tyre në formë të lirë dhe demokratike, që nga rënia e komunizmit. Dy forcat e mëdha politike PS dhe PD, kanë qeverisur me dy mandate katërvjeçare dhe kanë qenë në opozitë secila për 8 vjet. Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009. Asaj i është dhënë statusi i kandidatit për Bashkimin Evropian në vitin 2014 dhe prej asaj kohe është duke pritur vendimin e vendeve anëtare të BE-së për të nisur negociatat për anëtarësim.

nga kategoria