Categories: LajmePolitika

Naser Selmani: Padia e VLEN kundër Bujar Osmanit dëshmon frikën e Izet Mexhitit

Naser Selmani

Kallëximi penal i Vlenit kundër kandidatit të opozitës shqiptare për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, për kinse keqpërdorim të mjeteve publike gjatë ushtrimit të detyrës si ministër i Punëve të Jashtme, përbën një goditje të ulët nën brez që rrezikon të cënojë legjitimitetin e zgjedhjeve lokale në kampin politik shqiptar.
Pa hyrë në vlerësimin e akuzave konkrete, vetë fakti që kjo nismë vjen nga një parti qeveritare dhe dorëzohet menjëherë para nisjes së fushatës zgjedhore ngjall dyshime serioze se pushteti po përdor metoda të pandershme dhe jodemokratike për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

Një veprim i tillë gjithashtu ushqen përshtypjen se pushteti po ushtron trysni mbi organet e drejtësisë për të diskredituar ose, në skenarin më të keq, për të eliminuar kandidatin e opozitës nga gara.

Vlen është në qeveri më shumë se një vit dhe ka pasur kohë të mjaftueshme për të hetuar çdo ish-funksionar opozitar të dyshuar për shkelje. Prandaj pyetja logjike që shtrohet është: pse kallëzimi nuk u bë më herët, përpara se Osmani të shpallej kandidat, ose pse nuk u prit të kalonin zgjedhjet? Krimet e pretenduara nuk vjetërohen, pavarësisht nëse Osmani fiton apo humbet garën.

Cilat janë motivet e Vlenit për të ndërmarrë një hap të tillë në prag të fushatës?
Mundësia e parë, më banale, është diskreditimi publik i Osmanit, për të zbehur arritjet e tij politike dhe profesionale krahasuar me kandidatin e tyre, i cili mund të ndihet inferior.

Mundësia e dytë, më serioze, është një përpjekje e nxituar për ta frikësuar Osmanin dhe për të ngadalësuar hovin e fushatës së tij, që ka nisur me entuziazëm dhe energji. Nëse kjo është strategjia, atëherë dëshmohet se Vlen është i gatshëm të përdorë metoda policore e shantazhe me padi penale — praktika tipike të zbatuara në vende jodemokratike.

Opsioni i tretë, më ekstrem, edhe pse pak i mundshëm, por që nuk mund të përjashtohet plotësisht: arrestimi i Osmanit për ta eliminuar nga gara. Një skenar i tillë autoritar do të provokonte reagim të ashpër të opozitës dhe të faktorit ndërkombëtar, me pasoja të rënda për legjitimitetin e zgjedhjeve dhe me rrezikun e izolimit ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut, duke varrosur përfundimisht perspektivën e saj evropiane.

Megjithatë, eliminimi i Osmanit nga gara nuk do të ishte një detyrë e lehtë për pushtetin dhe, në fund të fundit, do të përfundonte në dobi të opozitës. Osmani nuk është një kandidat i panjohur dhe as i pambështetur; ai ka miq dhe lidhje të fuqishme brenda dhe jashtë vendit, ndërsa Aleanca Kombëtare për Integrim përfaqëson një forcë serioze politike.

Një veprim i tillë i rrezikshëm do ta viktimizonte Osmanin, duke e shndërruar në një figurë të fortë politike, madje në një “yll” të skenës publike, ndërsa opozitës shqiptare do t’i siguronte një agjendë të qartë politike dhe do t’i jepte legjitimitet më të madh para elektoratit shqiptar.

Në çdo rast, ky kallëzim penal dëshmon pasigurinë e Vlenit. Në vend të mbështeten te cilësitë e kandidatit të tyre, ata zgjedhin fushatën negative për të njollosur kundërshtarin.

Për më tepër, Izet Mexhiti ka vështirësi të përdorë argumentin e konsumuar të Vlenit se “BDI nuk ka bërë asgjë për 20 vite në pushtet”.
Nëse kjo është e vërtetë, atëherë çfarë bilanci ka vetë Mexhiti nga tre mandatet e tij si kryetar i Çairit? Një pyetje e pakëndshme, për të cilën shqiptarët presin përgjigje bindëse.

Admin01

Recent Posts

Aleanca për Shqiptarët: Decentralizimi dhe Siguria Publike, shtylla të një shteti funksional

Aleanca për Shqiptarët rikujton se pika e tetë e Platformës Kombëtare e saj përqendrohet te…

6 hours ago

“Sipas dinamikës së Bilall Kasamit, stadiumi i Tetovës do të ndërtohet në vitin 2050” JA KONTRATA dhe DINAMIKA

Para disa ditësh, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami deklaroi se në muajin tetor,…

6 hours ago

Çair nxjerr në Shesh kontraditat dhe dobësinë e VLEN-it

Nga Liridon Ramadani Mbrëmë në Çair u bë hapja e shtabit zgjedhor, dhe për mua…

10 hours ago

AKI-Tetovë akuzon Kasamin për keqmenaxhim me rrugët 185 dhe 186

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) – Tetovë ka reaguar sot publikisht, duke akuzuar kryetarin në…

10 hours ago

Daku: Ndaj Serbisë do të kemi qasje tjetër

Futbollisti i Kombëtares, Mirlind Daku, menjëherë pas ndeshjes së Letonisë ka nisur të mendojë për…

11 hours ago

Osmani zbulon një të dhënë tronditëse: Më shumë se 4 milionë euro në vit shpenzon Çairi për punësime fiktive të aktivistëve

Bujar Osmani, kandidat për kryetar të komunës së Çairit, sot kritikoi ashpër pushtetin aktual lokal…

12 hours ago