Smart News

Musa: Kur dallgët partiake trazojnë ujërat e skenës politike, ne duhet të jemi ura që lidhin, jo muret që ndajnë

Deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Mimoza Musa, ka reaguar me një mesazh reflektues në rrjetet sociale, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve njerëzore në skenën politike të trazuar.

“Kur dallgët partiake trazojnë ujërat e skenës politike, ne duhet të jemi ura që lidhin, jo muret që ndajnë”, shkruan Musa, duke ftuar për një klimë më të shëndetshme komunikimi dhe bashkëpunimi, pavarësisht bindjeve të ndryshme politike.

Ajo nënvizon se në një shoqëri me demokraci të brishtë si e jona, është përgjegjësi e secilit – së pari si njeri dhe pastaj si politikan – të ruajë respektin dhe raportet shoqërore.

“Mospajtimi është pjesë e demokracisë, por mungesa e respektit është plagë që e dëmton atë,” thekson Musa.

Sipas saj, brezi i ri i politikanëve ka detyrë të sjellë një qasje të re në jetën publike – duke qëndruar të palëkundur në parime, por të hapur për dialog e mirëkuptim.

Në përmbyllje të mesazhit të saj, Musa kujton se politika është kalimtare, por vlerat dhe mënyra se si sillemi me njëri-tjetrin janë ato që përcaktojnë të ardhmen e shoqërisë.

Exit mobile version