Ministri i Shëndetësisë d-r. Fatmir Mexhiti sot ka vizituar Klinikën Universitare për Kirurgji Torakale dhe Vaskulare në Shkup.
Për nevojat e pacientëve dhe të Klinikës, Ministria e Shëndetësisë bleu kolonën kirurgjikale të torakoskopit, e cila mundësoi që në këtë Klinikë të përdoret një sistem i gjeneratës së fundit nga prodhuesi amerikan Arthrex.
Kjo pajisje është menduar për kryerjen e procedurave endoskopike torako-vaskulare minimalisht invazive në zonën e mushkërive, si standarde ashtu dhe specifike. Sistemi mundëson vizualizim shumë më të mirë të enëve të gjakut në krahasim me dritën e bardhë konvencionale, duke lehtësuar dhe përshpejtuar kështu ndërhyrjen kirurgjikale.
Teknologjia e pajisjes mundëson vizualizimin e shkëlqyer të rrjedhjes së gjakut para, gjatë dhe pas procedurës kirurgjikale, si dhe identifikimin më të lehtë të kufijve të indeve të caktuara, duke mundësuar kështu procedura më të sakta dhe më të shpejta kirurgjikale.
Me këtë pajisje bashkëkohore, është e mundur të kontrollohen anastomozat vaskulare dhe perfuzioni, zbulimi i nyjeve limfatike.
Sistemi ka futje automatike të të dhënave, si dhe lidhje me përdoruesit jashtë sallës së operacionit nëpërmjet internetit ose rrjetit kompjuterik.
Kolona kirurgjikale është blerë nga Ministria e Shëndetësisë për nevojat e Klinikës së Kirurgjisë Torakale dhe është investim prej 11,1 milionë denarë.
Ministri i Shëndetësisë, d-r. Mexhti, së bashku me Kabinetin e tij, janë duke punuar intensivisht në përmirësimin e kushteve në objektet shëndetësore publike, me qëllim të shërbimit shëndetësor më cilësor për pacientët dhe kushteve më të mira të punës për punëtorët shëndetësorë.