Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, në kuadër të Procesit të Berlinit ka realizuar takim me Kris Barton, Komisionerin e Tregtisë të Madhërisë së Tij Mbretit Çarllsi i Tretë.
Në takim u vlerësua se marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Maqedonisë së Veriut janë bazë solide për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, si dhe për ndërtimin e marrëdhënieve të reja afariste midis bashkësive të biznesit midis dy vendeve.
Ministri Durmishi informoi Komisionerin Barton për prioritetet ekonomike të Qeverisë, duke theksuar me këtë rast se të njëjtat mund të shfrytëzohen për të krijuar mundësi të reja për promovimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tradicionalisht të mirë ekonomik midis dy vendeve.
Në takim, ministri Durmishi theksoi se Mbretëria e Bashkuar është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë dhe është në vendin e 2-të nga vendet me të cilat Maqedonia e Veriut realizon vëllimin më të madh të shkëmbimit tregtar dhe i cili shënon rritje të vazhdueshme.
“Gëzon e dhëna se për 10 vjet investimet e përgjithshme të huaja nga Mbretëria e Bashkuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut arrijnë vlerën prej 508,8 milionë euro, gjë që e bën Mbretërinë e Bashkuar vend që është një nga investitorët më të mëdhenj. Për ne, si Ministri e Ekonomisë dhe Punës, në kompetencën e së cilës janë kushtet e punës e investitorëve të huaj, është me rëndësi të madhe të punojmë në përmirësimin e klimës afariste, në mënyrë që të kemi më shumë investime që do të paraqesin punësim më të madh dhe rritje më të madhe ekonomike”, tha ministri Durmishi.
Ministri Durmishi u falënderua për mbështetjen që Maqedonia e Veriut e merr në vazhdimësi nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, kryesisht përmes mbështetjes në reformat dhe në procesin e zhvillimit në rrugën drejt anëtarësimit të plotëfuqishëm në BE.