Shkup, 21 mars – Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu, sot në Bruksel e udhëhoqi delegacionin e Maqedonisë i cili mori pjesë në takimin bilateral për skriningun për kapitullin 10 – Shoqëria informatike dhe mediat.
Siç njofton MSHIA, në takimin me përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Fqinjësisë dhe Politikës së Zgjerimit (DG NEAR) dhe Drejtorisë së Përgjithshme për Rrjetet e Komunikimit, Përmbajtje dhe Teknologji (DG CONNECT), u diskutua për shumë aspekte të nivelit të përputhshmërisë së sistemit ligjor në vend në lidhje me legjislacionin evropian.
Me këtë rast Ministri i MSHIA-së, Aliu, theksoi se reformat në fushën e shoqërisë informatike dhe mediave janë në agjendën kryesore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të njëjtat paraqesin parakusht për transformimin digjital të shoqërisë drejt së cilës MSHIA dhe Qeveria po synojnë me shkathtësi.