Categories: Lajme

Midis nacionalizmit dhe dinjitetit në RMV: Simbolet si armë të urrejtjes

Më 31 gusht, në zemër të Shirok Sokakut në Manastir, një i ri shqiptar nga Suedia u detyrua të hiqte bluzën që mbante veshur pasi një grup të rinjsh e sulmuan atë. Në bluzë kishte një shqiponjë, simbol që për disa përfaqëson identitetin dhe krenarinë, e për të tjerët provokim dhe shkak për urrejtje. Duke u ndjerë i pasigurt, djaloshi ua dorëzoi bluzën sulmuesve, shkruan Portalb.mk.

Incidenti nuk është i vogël dhe rëndësia e tij është e madhe. Ai tregon se si simbolet, të cilat janë neutrale në vetvete, fitojnë kuptim në varësisht nga sytë që i shohin. Për disa, ato janë një shenjë përkatësie, për të tjerët shkak neverie dhe agresioni.

Reagimet ishin të menjëhershme. BDI-ja e dënoi ngjarjen si të turpshme dhe të rrezikshme, duke i akuzuar institucionet shtetërore dhe partitë në pushtet për nxitje të nacionalizmit dhe për tolerim të gjuhës së urrejtjes. Ata paralajmëruan se ky akt nuk ishte i izoluar, por pjesë e një klime më të gjerë në të cilën gjuha e urrejtjes nga stadiumet mbetet pa u sanksionuar, e autoritetet shpesh bëjnë sikur nuk shohin.

Ndërsa skuadra e tifozëve “Çkembarët”, e cila qëndron pas sulmit thotë se incidenti nuk kishte konotacion ndëretnik dhe se simbolin në bluzë e shihte si një provokim të thellë.

“Suedezi që po shëtiste me një shqiponjë të shtypur në të gjithë bluzën e tij është një provokim i thellë për të gjithë ne që kemi ende kujtime të freskëta të 20 viteve më parë. Të mos bëhemi budallenj, nën atë flamur janë vrarë heronjtë tanë nga Manastiri. Manastirasit janë njerëz krenarë. Kushdo që na kërkon e di se ku jemi, palestra dhe stadiumi janë shtëpia jonë. Manastiri është shtëpia jonë “, thuhet në njoftimin nga tifozët e Pelisterit.

Qytetarët e sotëm janë dukshëm më pak tolerantë sesa që duhet të jenë

Ky nuk është incidenti i parë i tillë në gusht, kur grupet e tifozëve përdorën gjuhë urrejtjeje me konotacione etnike. Përsëritja e këtyre ngjarjeve tregon se problemi nuk është i izoluar, por pjesë e një klime më të gjerë të intolerancës dhe tensioneve kombëtare.

Politologu Naim Iljazi konsideron se marrëdhëniet ndëretnike nuk janë aq miqësore sa duken në shikim të parë. Qytetarët e sotëm janë dukshëm më pak tolerantë sesa që duhet të jenë, veçanërisht kur bëhet fjalë për ndërtimin e një shoqërie progresive. E problemi zakonisht përshkruhet përmes shprehjes së famshme se “problemet janë aq të mëdha sa i ushqeni”, e në Maqedoni sot e ushqejmë urrejtjen, duke e premtuar atë si “liri të fjalës”.

“Në një kohë zgjedhjesh dhe në një moment vendimtar për Maqedoninë e Veriut, po dëshmojmë një zgjerim në rritje të retorikës që mbështetet në narrative regresive, retorikë që në vend që të bashkojë, e polarizon më tej sferën publike dhe qytetarët. Kjo nuk është vetëm çështje e kulturës politike, por edhe përgjegjësi shoqërore, sepse vlerat demokratike nuk mund të zhvillohen në një mjedis ku urrejtja dhe dhuna normalizohen“, thotë Iljazi.

“E drejta e fjalës, simbolet dhe diversiteti kulturor nuk duhet të shkaktojë urrejtje; në çdo moment duhet ta ndiejmë vijën e hollë që e ndan urrejtjen nga liria e fjalës. Statusi ynë shoqëror dhe përkatësia etnike nuk dëshmohen përmes dhunës, por përmes mirëkuptimit të ndërsjellë“, shton ai.

Iljazi në këtë sjellje një pengesë për ndërtimin e shtetit, sepse urrejtja e pakontrolluar është si vrasja e ngadaltë e një komuniteti, e këto raste u sjellin dobi edhe grupeve të vogla politike. Dhuna nuk ka përkatësi, ajo i përket ekskluzivisht krimit, prandaj nevojiten masa më rigoroze dhe urgjente kundër autorëve të dhunës.

Të rinjtë dhe mediat para testit të tolerancës

Ringjallja e revanshizmit historik dhe ngjarjet e 20 viteve më parë tregojnë se institucionet, së bashku me të gjitha partitë në pushtet, nuk kanë investuar mjaftueshëm në procesin e pajtimit dhe në edukimin e të rinjve për respektin dhe tolerancën ndëretnike.

Për më tepër, rrjetet sociale luajnë një rol të rëndësishëm në përhapjen dhe përforcimin e këtyre tensioneve. Ana Naumoska, magjistre e drejtësisë dhe politologe, thotë se kur bëhet fjalë për mediat sociale në kontekstin e marrëdhënieve ndëretnike, të rinjtë shumë lehtë bëhen konsumatorë të propagandës.

“Arsyeja kryesore për këtë është se shumë prej tyre nuk kanë njohuri mediatike, e kjo mungesë e njohurive mediatike krijon një terren pjellor për përhapjen e ideve radikale, gjuhës së urrejtjes dhe paragjykimeve që i thellojnë më tej ndarjet ekzistuese etnike. Në vend që rrjetet sociale të jenë mjet për dialog, mirëkuptim dhe ndërtimin e besimit, ato shndërrohen në një platformë ku urrejtja dhe dezinformatat përhapen me shpejtësi të madhe”, thotë Naumovska.

Por, pavarësisht kësaj situate, ajo ende beson se të rinjtë mund të krijojnë simbole dhe trende pozitive në internet, të ndara nga konfliktet që brezat e vjetër ende i mbajnë me vete. Që të ndodhë kjo, është e nevojshme të punohet me të rinjtë dhe t’u ofrohet atyre në mënyrë të vetëdijshme një perspektivë që shikon përtej kufizimeve të konflikteve të së kaluarës.

“Duhet të zhvillohet një vetëdije kolektive për bashkëjetesë, se të gjithë jetojmë në të njëjtën botë dhe në të njëjtin shtet, dhe se pavarësisht përkatësisë etnike ose fetare, përballemi me të njëjtat probleme: padrejtësi, korrupsion, shëndetësi jofunksionale, sistem të vjetëruar arsimor. Pikërisht duke i njohur këto sfida të përbashkëta të rinjtë mund të ndërtojnë narrative të reja solidariteti dhe të krijojnë simbole dhe trende që do të nxisin ndjenjën se të gjithë jemi në të njëjtën anë”, shton Naumovska.

Bluza e hequr nuk është vetëm një traumë personale, është pasqyrë e shoqërisë

Por, përtej politikës ditore, lind një pyetje më e thellë: si zgjedhim të reagojmë kur përballemi me një simbol që nuk na pëlqen ose nuk e pasqyron përkatësinë tonë? A përdorim dhunë dhe a përjashtojmë, apo pranojmë se simbolet kanë kuptime të ndryshme për njerëz të ndryshëm?

Mu kjo zgjedhje është thelbësore. Në një shoqëri shumëetnike, kjo përcakton nëse do të jetojmë me frikë apo me respekt të ndërsjellë. Shqiponja në një bluzë nuk duhet ta ketë fuqinë t’ia marrë dinjitetin dikujt. Por, kur institucionet nuk reagojnë e urrejtja relativizohet në emër të politikës, pikërisht kjo ndodh.

Mësimi nga Manastiri nuk ka të bëjë vetëm me një bluzë, por me nevojën urgjente për të riafirmuar se asnjë simbol, asnjë identitet dhe asnjë qytetar nuk duhet të jetë i pasigurt në hapësirën publike.

Kujtojmë se Portalb.mk përmes një serie shkrimesh ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.

Admin01

Recent Posts

Osmani zbulon një të dhënë tronditëse: Më shumë se 4 milionë euro në vit shpenzon Çairi për punësime fiktive të aktivistëve

Bujar Osmani, kandidat për kryetar të komunës së Çairit, sot kritikoi ashpër pushtetin aktual lokal…

12 minutes ago

Zgjedhjet 2025/ Deri më 13 shtator dorëzohen listat e kandidatëve

Verifikimi publik në të dhënat e Listës zgjehdore për Zgjedhjet lokale 2025 përfundon nesër në…

1 hour ago

Dronët rusë në Poloni, Macron: E papranueshme, s’do të bëjmë kompromis për sigurinë e aleatëve

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se shkelja e hapësirës ajrore polake nga dronët rusë gjatë…

1 hour ago

Qenan Aliu: Blerant Ramadani, një figurë me potencial politik

Analisti Qenan Aliu ka ndarë përvojën e tij të takimit me Blerant Ramadanin, një djalosh…

3 hours ago

Nxënësit e Tetovës përballen me mungesë librash, pavarësisht milionave të shpenzuara

Nxënësit në shkollat e Tetovës vazhdojnë të kenë mungesë të librave edhe në javën e…

3 hours ago

ASH: Qeveria e VMRO-VLEN e fut vendin me të dyja këmbët në “Botën Serbe”

Deklaratat e fundit të ministrit serb të mbrojtjes Bratislav Gashiq dhe anëtares së qeverisë së…

3 hours ago