Nga pika kufitare e Bllacës, vendi ku dikur shënohej dhimbja dhe shpresa e një populli, sot është inauguruar një projekt historik për rajonin – sistemi i përbashkët i menaxhimit kufitar “One Stop Shop” mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në ceremoninë zyrtare morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, si dhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti si dhe pjesëtar të kabineteve qeveritare të të dyja vendeve.
Mexhiti, në një postim në Facebook, theksoi rëndësinë simbolike dhe praktike të këtij projekti, duke e përshkruar atë si një hap konkret drejt një të ardhmeje pa barriera, jo vetëm fizike, por edhe atyre të padukshme që ndërtohen nga paragjykimet. “Së bashku me kryeministrat Kurti dhe Mickoski, sot nisim një epokë të re: më shumë bashkëpunim, më pak barriera! Ky nuk është vetëm një projekt, por një vizion për një Ballkan që zgjedh fqinjësinë mbi frikën, zhvillimin mbi izolimin”, shkroi Mexhiti. Ai shtoi se integrimi rajonal nuk duhet parë vetëm si një proces politik, por si një angazhim i përbashkët për një rajon të lirë dhe pjesë e barabartë e Bashkimit Evropian. “Ballkani është Evropë. Jo si barrë, por si vlerë e shtuar”, përmbylli Mexhiti mesazhin e tij.
Lëshimi i “One Stop Shop” pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave, duke fuqizuar bashkëpunimin ekonomik dhe politik mes dy vendeve fqinje