Mbrëmë në Kumanovë para një numri të madh qytetarësh Vlen ka mbajtur tubim qendrorë ku para të pranishmëve ka folur edhe kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.
“I dashur votues i heshtur që sonte nuk je me ne por më 24 prill dhe më 8 maj do të jeni në kutinë e votimit. Kur jemi në Kumanovën tonë nuk mund ta them më ndryshe se po merr fund epoka e koalicionit të përçarjes e të përgjakjes, koalicioni i listave të zeza, koalicioni i të ashtuquajturve Fronti Europian, që orientimin, veprimet dhe bizneset i kanë nga Serbia e Rusia e që mashtron duke përdorur fjalën Europë. Neve, të dashur qytetarë na duhen njerëz që veprojnë dhe punojnë, që angazhohen fuqishëm për ndihmë të qytetarit, jo njerëz që vetëm flasin dhe vetëm zhvasin. Na duhen njerëz që ia sheh hajrin qytetari e jo njerëz që shfrytëzojnë përfitime personale. Nuk na duhet Fronti i hajdutëve me Artanin dhe Bujarin, na duhet një doktor i pakorruptuar dhe i pastër si Arben Taravari”, ka thënë Mexhiti.
Sipas tij, udhëheqësit e BDI e kanë harruar se kush janë dhe nga kanë ardhur, por votuesit jo.
“Popullit tonë i duhet Vlen, sepse Vlen ia vlenë, na duhen politikat e Vlen se do të largojë krimin dhe kriminelët, na duhet funksionalizimi i gjyqësorit. Sot besueshmëria e gjyqësorit ka prekur pikën më të ulët. Sepse mbledhjet dhe vendimet e gjykatësit i marin në selitë e partive dhe jo në vendin e dedikuar për të. Neve na duhen gjyqtarë të pandikuar nga pronarë të kazinove, sepse drejtësia Vlen. Unë e njoh mirë BDI dhe njerëzit e BDI, ka shumë dallim nga kjo strukturë e kriminalizuar dhe përkrahësve të BDI; votuesit e BDI nuk janë njësoj si struktura, kanë të njejtat halle si të popullit, janë njësoj si ne, votuesit e BDI këtë rradhë do të votojnë masivisht për Vlen. Udhëheqësit e BDI e kanë harruar se kush janë dhe nga kanë ardhur, por votuesit jo. Prandaj ne ua kemi zgjatur dorën dhe e kemi kuptuar vullnetin e tyre. I akuzuari për rastin Pacienti, demagogu i dekalogut dhe 9 pikëshit të Vuçiqit, nuk mund të jetë presidenti jonë, Bujari është shërbetori i Vuçiqit dhe nuk mund të flasë në emër të Europës dhe NATO-s. E kemi kandidatin më të mirin, e kemi doktorin si ilaçin më të mirë për këtë keqqeverisje”, është shprehur për fund Mexhiti.