Në një kohë krize ekonomike, kur qeveria apelon për kursime dhe qytetarët përballen me çmime të larta, veturat zyrtare të shtetit shërbejnë për shërbime private. Shembulli i fundit vjen nga Ministria e Shëndetësisë.
Mbrëmjen e së enjtes, vetura zyrtare e ministrit Azir Aliu – një Shkoda SuperB 4×4 me targa SK-4686-BS – është parë e parkuar në hapësirat e restaurantit “Monday Bland” në Gostivar, ku po mbahej një dasmë private.
Sipas dëshmitarëve, ministri ka marrë pjesë në festë dhe ka ardhur me makinën zyrtare.
Në vend që të shërbejë për angazhime institucionale, automjeti i Ministrisë është përdorur për “nder krushqish”, ndërsa qytetarët detyrohen të mbajnë mbi supe barrën e mirëmbajtjes së këtyre mjeteve, që nga karburanti e deri te shpenzimet teknike.
Ky nuk është rasti i parë. Vetëm pak javë më parë, mediat raportuan për përdorim të dyshimtë të veturave zyrtare nga zëvendëskryeministrat Izeti Mexhiti dhe Arbër Fetai.
Sipas portalit “360 shkallë”, dy automjete qeveritare janë fotografuar të parkuara në mënyrë të paligjshme pranë qendrës tregtare “Mavrovka” në Shkup, rreth orës 23:00 – fare pranë selisë së VLEN-it.
Zyra për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta e Qeverisë konfirmoi përdoruesit e automjeteve.
Përkundër publikimit të fakteve dhe fotove nga mediat, asnjë institucion nuk ka ofruar sqarim, ndërsa abuzimi me resurset shtetërore vazhdon të bëhet normë.
Nëse VLEN ka premtuar ndershmëri dhe qeverisje të mirë, qytetarët kanë të drejtë të pyesin:
A ka mbetur ndonjë vijë e kuqe që nuk e kalojnë?