Smart News

Më mirë për Tetovën: Regjistri Qendror nuk e respekton ligjin për shqipen

Vazhdojnë përplasjet mes Nismës “Më mirë për Tetovën” dhe Regjistrit Qendror. Kjo organizatë nuk mund të regjistrohet në gjuhën shqipe pavarësisht se Ligji për zbatimin e gjuhëve e mundëson një gjë të tillë. Edhe Inspektorati për Zbatimin e Gjuhëve ka konstatuar shkelje në punën e Regjistrit Qendror.

“Pas zhagitjeve  të panumërta administrative, nga Regjistri Qendror, kemi pranuar përgjigje me shkrim ku shpjegojnë se, ky institucion, nuk është në gjendje të zbatoj Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Si pasojë e kësaj rastin e kemi paraqitur në Inspektoratin për Zbatimin e Gjuhëve, me ç’rast, inspektorati, pas kontrollit të kryer ka konstatuar parregullsi në punën e regjistrit. Pas kësaj përgjigjeje, bëmë sërish aplikimin për regjistrimin e organizatës sonë në gjuhën shqipe, ashtu si na jep të drejtë Ligji, por, deri më tani, edhe pse janë tejkaluar të gjitha afatet ligjore, ne nuk kemi pranuar asnjë përgjigje nga Regjistri Qendror”, tha Elmedina Abdullahi, “Më mirë për Tetovën”.

“Tentuam të marrim qëndrim edhe nga përfaqësuesi i Regjistrit Qendror këtu, por na orientuan në Shkup. Ndërkohë, sipas informatave deri tek të cilat ka arritur televizioni Alsat, kërkesa e nismës “Më mirë për Tetovën”, është dërguar në Shkup për përkthim dhe pritet kthimi i saj, pas çka do merren masa për regjistrim ose jo të kësaj shoqate”.

“Nisma më mirë për Tetovën” ka paralajmëruar edhe padi nëse brenda një afati të shkurtër Regjistri Qendror nuk e regjistron këtë organizatë edhe në gjuhën shqipe konfrom ligjit. /alsat.mk

Exit mobile version