Maqedoni: Për 42 % më pak investime të huaja

e postuar më at 19:06
88 0

Në Maqedoninë e Veriut, vitin e kaluar janë realizuar vetëm 131 milionë euro investime të huaja, apo 42 për qind më pak se në 2019 kur janë shënuar investime të huaja në vlerë prej 326 milionë euro. Ekonomistët thonë se thonë se dy parametrat kryesore për investime të huaja janë lehtësimet tatimore, si dhe siguria politike dhe juridike në shtet.

Pandemia dhe paqartësitë që ka shkaktuar ajo kanë ndikuar në uljen e investimeve të huaja në Ballkan dhe Maqedoninë e Veriut. Mirëpo, për dallim nga disa shtete fqinje, interesimi i investitorë ve të huaj për të investuar ka qenë shumë më i madh në Shqipëri apo Serbi në raport me Maqedoninë e Veriut. Të dhënat tregojnë se në Shqipëri, investimet e huaja në vitin 2020 arritën në afër 933 milionë euro apo 13 për qind më pak se në vitin paraprak, ndërsa që nga viti 2013, ato kanë lëvizur ndërmjet 900 milionë euro dhe 1 miliardë euro në vit. Nga ana tjetër, në Serbi, përkundër krizës së pandemisë – janë realizuar investime neto prej 2.9 miliardë euro falë edhe stimulimeve dhe përkrahjes shumë më të madhe të shtetit për investitorët e huaj në raport me ato në Maqedoni. Bile, në vitin 2019, investimet e huaja në Serbi kanë qenë të vlefshme 3.8 miliardë euro, që është gati gjysma e të gjitha investimeve të huaja në Ballkanin Perëndimor.

Nga ana tjetër, në Maqedoninë e Veriut, vitin e kaluar janë realizuar vetëm 131 milionë euro investime të huaja dhe 109 milionë euro investime të serishme nga investitorët e vjetër, apo gjithsej 240 milionë euro. Në 2019 janë shënuar investime të huaja në vlerë prej 326 milionë euro, apo 42 për qind më shumë se vjet. Në 2018 investime prej 624 milionë dhe në vitin 2017, është shënuar një shifër më modeste prej 181 milionë euro. Ekonomistët thonë se nuk mund të jetë vetëm pandemia arsyetim për uljen e investimeve nga jashtë, por shtojnë se duhet bërë më shumë kujdes edhe ndaj plotësimit dhe përmirësimit të Strategjisë për thithjen e tyre.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore thonë se disa nga parametrat kryesore për investime janë lehtësimet tatimore, si dhe siguria politike dhe juridike. “Në pesë vitet e kaluara, kur kemi pasur dy herë zgjedhje parlamentare, kemi pasur më pak investime të huaja, ndërsa vitin e kaluar – kemi një rënie prej 42 për qind në nivel shteti. Krahas zgjedhjeve të shpeshta, edhe ndryshimi i shpeshtë i ligjeve, si për shembull ndryshimet lidhur me tatimin progresiv, sjellin pasiguri ligjore”, thotë drejtori i OEMVP-së, Drilon Iseni.

Sipas numrit një të Konfederatë s së Biznesit, Mile Boshkov, përskaj pandemisë – edhe ndodhitë politike nuk ju ofrojnë siguri më të madhe investitorëve që presin shtet juridik dhe siguri juridike. “Biznesi bazohet në informacione të mira dhe në një bazament të sigurt ekonomik. Investitorët e huaj kërkojnë p0ara së gjithash stabilitet dhe siguri të investimit të tyre dhe çdo herë janë në kërkim e sipër të një vendi të volitshëm për investime”, shprehet Boshkov. Nga ana tjetër, ish guvernatori i Bankës Popullore, Petar Goshev, vlerëson se paqartësitë që sjell pandemia patjetër se ndikojnë edhe në gatishmërinë apo jo për investime të reja nga ana e investitorëve të huaj. Mirëpo, shton ai, edhe pse në parim investimet e huaja janë pozitive, megjithatë na nevojiten edhe analiza më të detajuara se sa ato ndihmojnë në rritjen ekonomike, në cilat sektorë po investohet, sa ndikon ardhja e tyre në degët e tjera ekonomike, sa nga ky investim na mbesin vetëm pagat e punëtorëve, sa investohet sërish fitimi i tyre… “Shtetet si Maqedonia, çdo herë kanë nevojë për investime të tilla, mirëpo shtohet edhe çështja nën cilat kushte ato vijnë për të investuar”, konstaton Goshev. (koha.mk)

J X

nga kategoria