Në palestrën sportive “Rinia” në Gostivar, para qindra besimtarëve u zhvillua për të 22-herë Manifestimi fetaro-artistik “Mirë se erdhe Ja Resulallah”, me rastin e shënimit të 12. Rebiul evvelit – Ditëlindja e Profetit Muhamed a.s, raporton Flaka
Ngjarja u organizua nga Muftinia e BFI-së në Gostivar, nën patronazhin e Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, dhe pati një pjesëmarrje masive të besimtarëve, deputetëve, drejtorëve, myftive dhe artistëve të njohur nga vende të ndryshme.
Programi përfshiu lexim të Kur’anit, Famëlartë, ilahi dhe recitime nga artistë të mirënjohur, duke krijuar një atmosferë të veçantë shpirtërore dhe artistike.
Tubimin e përshëndeti nikoqiri i manifestimit, Muftiu H. Sabahudun ef. Zendeli, i cili falënderoi të pranishmit dhe foli mbi rëndësinë e këtij tubimi për ngritjen e lartë të personalitetit të Profetit Muhamed a.s.
Gjatë programit fjalën e mori edhe Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili analizoi personalitetin e Profetit Muhamed a.s., duke theksuar mesazhet dhe porositë e tij për komunitetin.
I gjithë programi u shoqërua me elemente artistike të larta, ndër të cilat veçoi performanca e Koresë së Medresesë, e cila u prit me entuziazëm nga të pranishmit. Organizatorët e Muftinisë së Gostivarit, nën drejtimin e Myftiut H. Sabahudin ef. Zendeli, treguan gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre për të realizuar vepra madhore me vlera fetare dhe artistike. Flaka dhe Gostivari Sot, ashtu si dhe viteve të kalauara, ishin sponsor medial i manifestimit. /Flaka/