Në njërën anë kemi Arben Fetain, titanin e diplomuar nga Sllupçani, i cili me një strategji të pashembullt “tok për tok” ka vendosur t’i shkëpusë gurët e fundit të çmuar nga radhët e kundërshtarit. Në anën tjetër, Arianit Hoxha, i njohur për peshen e tij të rëndë (në opinion e në terren), i cili ndoshta nuk e ka pritur goditjen që do t’i vinte “nën brez”.
Sot, me një lëvizje që analistët po e quajnë “Transferi i Shekullit”, Fetai ka marrë nën krahë Arlinda Hamzikj dhe Ylber Sefedinin, dy aktivistët e vetëm që me sa duket po mbanin gjallë strukturën e Hoxhës. Tani, në mungesë të trupës operative, analistët pyesin: A do i duhet Arianit Hoxhës të ftojë ndihmë nga jashtë?
Zërat e korridoreve thonë se kjo s’është rastësi. Një urdhër i heshtur mund të jetë lëshuar: “Eliminoje Arianitin politikisht”, dhe kush më mirë se Arbeni për këtë mision (përveç ndoshta ndonjë Marvel hero tjetër)?
Përballja pritet të përshkallëzohet ditëve në vijim, ku memet, statuset indirekte dhe takimet me simpatizantë do jenë armët kryesore. A do të ketë përplasje ballë për ballë? A do të mbetet ndonjë aktivist në qytet që s’ka ndryshuar palë?
Qëndroni me ne – kjo garë sapo ka filluar. Dhe me këtë ritëm, mund të përfundojë më shpejt sesa një sezon i Big Brother VIP.