Është nder dhe kënaqësi e veçantë për mua që t’i drejtohem kësaj punëtorie kushtuar zbatimit të ndryshimeve dhe plotësimeve të miratuara në Ligjin për evidencën amë.
Jam veçanërisht i kënaqur që më 21 qershor 2023 Kuvendi miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për evidencën amë, i cili është edhe temë e punëtorisë së sotme.
Që nga marrja e detyrës si Ministër i Drejtësisë, angazhimet e mia në lidhje me konceptin e regjistrimit civil janë në drejtim të gjetjes së mekanizmave të duhur ligjorë që në praktikë do të kontribuojnë në përmbushjen e objektivit të vendosur, që është përmirësimi i jetës së qytetarëve, avancimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe forcimi i vlerave evropiane në shoqërinë tonë.
Falë mbështetjes së OSBE-së dhe UNHCR-së në Maqedoninë e Veriut, puna e grupit punues të përbërë nga përfaqësues të Komisionit për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet ndërmjet Komuniteteve, ministrive kompetente dhe organizatave ndërkombëtare rezultoi në përmirësimin e kornizës ligjore në drejtim të zgjidhjes së situatës shumë dekadëshe me identifikimin e një numër të madh personash (rreth 700 persona) që nuk janë të regjistruar në regjistrin e të lindurve dhe që nuk kanë dokument identifikimi.
Me këtë ligj ne përmbushim edhe detyrimet e marra ndërkombëtarisht për regjistrimin civil dhe lëshimin e dokumenteve të rregulluara nga:
– Konventa për të Drejtat e Fëmijëve,
– Deklarata e Zagrebit për Qasjen në Dokumentacionin Civil dhe Regjistrimin në Evropën Juglindore në 2011 dhe
– Konventa për Reduktimin e Pashtetësisë, e miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, e ratifikuar në vitin 2019.
Gjithashtu, në pajtim me Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, ky ligj garanton të drejtën e regjistrimit në regjistrin e lindjes së çdo fëmije të lindur në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut menjëherë dhe jo më vonë se 45 ditë nga dita e lindjes së fëmijës, pavarësisht nga shtetësia dhe statusi personal i prindërve të tij.
Pres që deri në fund të vitit 2023 këta njerëz të kenë një identitet dhe më e rëndësishmja, më në fund do të mund të reaizojnë të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë, pa ua kufizuar qasjen në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale.
Me këtë arritje, jam krenar që u bëmë vendi i parë në Evropë, si dhe vendi i dytë në botë, që zgjidhëm me sukses problemin e personave të paregjistruar. Republika e Maqedonisë së Veriut po bëhet një shtet më i drejtë se dje dhe me zbatimin e plotë të ligjit, do të bëhet shtet më i barabartë seç është sot.