Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga ka informacione se në VMRO-DPMNE janë duke u diskutuar për amendamentet kushtetuese. Siç tha ai sonte në intervistë për Tv Sitel, deri në fund të dhjetë ditëve të ardhshme amendamentet kushtetuese do të dorëzohen në Kuvend dhe do të votohen.
“Besoj thellë se këtë verë do të kemi ndryshime kushtetuese. Propozimi nga ana jonë ka më shumë se dy-tre javë në procedurë qeveritare. Kryeministri së bashku me Mickovskin u ulën dhe deri diku kishin një marrëveshje për mbështetje, por u arrit me kohë që ndryshimet kushtetuese të shkojnë në Kuvend. Kanë mbetur edhe pak ditë. Besoj se deri në fund të këtyre dhjetë ditëve do të përpunohen dhe do të dorëzohen në Kuvend. Procesi nuk është i thjeshtë, kërkon një konsensus të gjerë dhe dy të tretat në Kuvend, që besoj se do të sigurohet. Besoj, sepse kam informacione, se një proces i tillë po diskutohet në VMRO-DPMNE dhe nëse nuk janë në mbështetje të amendamenteve kushtetuese, do të gjenden persona të tjerë”, theksoi Lloga.
Për amendamentet, sipas Llogës, nuk ka asgjë të re nga ajo që tashmë është bërë publike.
“Po flasim për preambulën ku janë shtuar etnitë e tjera dhe seksioni i Komisionit”, tha ministri i Drejtësisë.