Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, sot realizoi takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në vendin tonë, Ekselencën e tij, z. Dirk Jan Kop. Ministri Lloga falënderoi Ambasadorin Jan Kop për bashkëpunimin intensiv dhe përkushtimin në agjendën evropiane për reforma, si dhe ndihmën e dhënë nëpërmjet projekteve të financuara nga Holanda e të cilat kanë të bëjnë me kualitetin dhe llogaridhënien e sistemit gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, fuqizimin e llogaridhënies, efikasitetin dhe transparencën e Këshillit Gjyqësor, mbështetjen e Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve Publik, sundimin e së drejtës, lirinë e medieve dhe masat e mbrojtjes kundër korrupsionit. Në takim u bisedua për finalizimin e përpunimit të Strategjisë së re për reforma në sektorin e gjyqësisë 2023-2027, përgatitja e Kodit Penal të ri, skriningun, si dhe fuqizimin e kapaciteteve për udhëheqjen e negociatave në Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore “. Ambasadori Jan Kop shprehu interesim lidhur me nismën për përgatitjen e Kodit të ri zgjedhor. Ministri Lloga informoi se grupi punues nuk mund të fillojë me punë për shkak të faktit se VMRO-DPMNE nuk propozon një anëtar të vetë edhe pas shumë kërkesave për nominim të një përfaqësuesi nga ana e tyre. Lidhur me paralajmërimin për fillim të vetingut, Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, tha se ky proces nuk mund të realizohet nëse nuk ka përkrahje nga SHBA dhe BE. Ambasadori Dirk Jan Kop i dëshiroi Llogës sukses në kryerjen e funksionit ministror dhe porositi se Holanda në të ardhmen do të realizojë projekte në fushën e gjyqësisë duke dhënë mbështetje në sistemin e burgjeve, Prokurorinë Publike, Këshillin Gjyqësor, si dhe aplikimin më të madh të ndërmjetësimit në vendin tonë.