Smart News

Lloga: I ftoj të gjitha partitë politike që me konsensus ta miratojmë Kodin e ri Zgjedhor

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, u bëri thirrje të gjitha partive politike që me konsensus ta miratojnë Kodin e ri Zgjedhor. Në paraqitjen e tij në konferencën “Reformat Zgjedhore në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, të cilën e organizoi Instituti Nacional Demokratik (NDI), Ministri Lloga tha se nisma e tij është që partitë politike të ulen në një tavolinë të njëjtë me qëllim që të hartohet një model sipas të cilit do të veprohet në drejtim të përgatitjes së një Kodi të ri Zgjedhor dhe të arrihet konsensus për çështje të përcaktuara të cilat kanë konotacion politik, sepse kjo është edhe rekomandim i dhënë nga Komisioni i Venecias.   A na duhet kjo reformë?- Përgjigja është PO. Kodi Zgjedhor duhet të hyjë në fuqi të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve, që  institucionet të mund të përgatiten pa vështirësi t’i zbatojnë ndryshimet. Në raportin e fundit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Misioni i Posaçëm i Vlerësimit të Zgjedhjeve i ODIHR bëri të qartë se ka ende një sërë çështjesh në kornizën ligjore për zgjedhjet që duhet të zgjidhen. Kodi Zgjedhor duhet të rishikohet në mënyrë gjithëpërfshirëse që të mund të harmonizohet brenda kornizës dhe me ligjet e tjera përkatëse, në përputhje me objektivat e OSBE-së, detyrimet ndërkombëtare dhe praktikat e mira“, tha Lloga.
Ministri i drejtësisë informoi se Ministria e Drejtësisë është në proces të formimit të një grupi pune për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundur.
“Qëllimi im i qartë është që Kodi Zgjedhor të jetë i përgatitur para zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa nëpërmjet të një procesi gjithëpërfshirës të garantohet siguria juridike me atë që do të dëgjohen mendimet nga të gjitha partitë politike. Prandaj, i ftoj të gjitha partitë politike që me konsensus ta miratojmë Kodin Zgjedhor dhe t’i përcaktojmë rregullat zgjedhore. Apeloj VMRO-DPMNE-në, si parti më e madhe opozitare, të kontribuojë dhe të nominojë anëtar të saj në grupin punues. Jam i pajtimit që kryetari i grupit punues të jetë propozim i tyre” potencoi Lloga.
Falënderoj NDI dhe të gjitha organizatat civile që morën pjesë aktive në proceset reformuese për vendin tonë dhe që kontribuojnë në lëvizjen e tij drejt Bashkimit Evropian.

Exit mobile version