Smart News

Lleshi reagon ndaj deklaratës së Kasamit: Mos i përvetëso 107.000 votat e VLEN-it, se s’të takojnë vetëm ty

 

Pas deklaratës së kryetarit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, se “çdo subjekt që largohet nga VLEN nuk e ka përkrahjen e 107.000 votuesve”, ka ardhur një reagim i ashpër nga Valmir Lleshi, aktivist i Aleancës për Shqiptarët dhe moderator i tubimeve gjatë fushatës në kuadër të koalicionit VLEN.

Përmes një postimi publik, Lleshi ka akuzuar Kasamin se po tenton të përvetësojë meritën e votave të koalicionit, duke i kujtuar se nuk ka qenë i pranishëm as në hapjen e fushatës në Dibër për shkak të mungesës së strukturave të Besës në atë zonë. “Le t’i tregojë be dikush këtij Bilall Kasamit se 107.000 votat e VLEN-it nuk mund t’i përvetësojë ky. A don ta dish sa peshë ke be o gjalo?! Po mos be, se e dimë en si ke qenë, en si je…”, shkruan Lleshi, duke shtuar se për mungesën e Kasamit në hapjen e fushatës ka dëshmitarë dhe madje edhe incizime.

Sipas tij, prezenca e Kasamit në terren ka qenë e dobët, dhe madje vetë këshilltarët e tij i kanë kërkuar që të arsyetojë mungesën e tij me një “udhëtim në Tiranë”. “Jo se këta të tjerët janë më të mirë… po barem ato nuk flasin, se e dinë të gjithë se si është puna, o Billo. Testi më i mirë është vota… zgjedhjet afrohen… ta shohim njer kandarin kah shkon”, vijon më tej Lleshi.

Në fund, Lleshi i sugjeron Kasamit të “mos merret me politika të mëdha”, duke ironizuar me situatën aktuale në Tetovë dhe duke aluduar për një izolim politik të mundshëm të tij në të ardhmen.

Exit mobile version