Zyrtari i Aleancës për Shqiptarët, Liridon Ramadani, ka reaguar ashpër pas vendosjes së flamujve serbë në Mateç, duke e cilësuar këtë si një akt të rëndë provokues dhe një përdhosje të kujtesës historike të shqiptarëve.
“Mateçi është një nga fshatrat ku është derdhur gjak, ku shumë dëshmorë ranë për lirinë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Në këtë vend, historia është shkruar me sakrifica, e Manastiri siç e njohim ne ishte pikënisja e betejës së madhe,” tha Ramadani.
Ai theksoi se vendosja e flamujve serbë në këtë hapësirë nuk ka të bëjë me vlerat fetare, por me provokim politik.
“Sot, ky vend i madh për kujtesën tonë po përdhunohet me pretekste ‘fetare’, duke u shndërruar në shfaqje nacionaliste, ku vendosen flamuj serb. Çfarë mesazhi dërgon kjo? Se institucionet e sotme, në vend që të respektojnë gjakun e dëshmorëve, po i japin vrull shtypjes së shqiptarëve,” u shpreh Ramadani.
Ai kritikoi edhe përdorimin e Manastirit për qëllime politike.
“Në vend të zhvillimit turistik dhe kulturor të Manastirit, ai po përdoret për të ekspozuar nacionalizmin e një qeverie që e ka harruar kujt i shërben. Vendosja e flamujve serbë në zemër të Mateçit është kthim prapa, shumë më larg se 2001-shi,” shtoi ai.
Ramadani theksoi përgjegjësinë e qeverisë aktuale dhe rikujtoi funksionin e lartë të Ivan Stolkoviqit.
“Ivan Stolkoviq nuk është vetëm ministër i Marrëdhënieve Ndërkomunitare – ai është edhe zëvendëskryeministër i qeverisë së VLEN. Pra, çdo flamur serb në Manastirin e Mateçit është një vulë e kësaj qeverie,” përfundoi Ramadani.