Liridon Ramadani, ka reaguar ashpër ndaj Arben Fetait, duke e cilësuar si figurë politike pa ndikim, pa strukturë dhe pa bazë reale.
“Në nivel republikan, Fetai nuk ka lënë asnjë shenjë për ASH-në. Ai vetë nuk e di nëse ka parti, fraksion apo lëvizje. Një gjë është e sigurt: ka aq anëtarë sa ka funksionarë. Më shumë asgjë”, theksoi Ramadani.
Sa i përket Likovës, ai u shpreh se tentativat e Fetait për të dëmtuar ASH-në kanë qenë të pasuksesshme. “Në perceptim tentoi të na dëmtojë, por realisht struktura jonë nuk ka pësuar. Dobësinë e tij e tregon lista e këshilltarëve: në Likovë, sipas të gjitha sondazheve, VLEN është parti e tretë, e para BDI, e dyta ASH dhe e treta VLEN. Edhe në një VLEN aq të dobët, Arben Fetai në listat e këshilltarëve ka marrë numrin 6 dhe kjo e vulos dobësinë e tij edhe në Likovë”, tha ai.
Ramadani shtoi se Fetai jo vetëm që nuk do të arrijë të bëhet këshilltar komunal, por as kandidatura e tij nuk ka asnjë peshë reale. “Pra, jo vetëm që kandidatura e tij është ‘me rëndësi pjesëmarrja’, por as këshilltar komunal nuk do të ketë”, theksoi ai.
“Arben Fetai është dëshmi e gjallë se kur dikush s’ka bazë reale, nuk mund të prodhojë as rezultat. As shenjë për partinë, as fitore për veten. Vetëm zhurmë dhe vetëm zhgënjim. Historia e tij politike mbaron aty ku s’filloi kurrë”, përfundoi Ramadani.