Në Gostivar u shënua dita e parë e vitit shkollor
Me fillimin e vitit të ri shkollor, u.d kryetar i komunës së Gostivarit, Valbon Limani sot vizitoi disa nga shkollat fillore për t’ua uruar vitin e ri shkollor nxënësve, e posaçërisht nxënësve që për herë të parë sot u ulën në bankat shkollore.
Me këtë rast, Limani theksoi se pushteti lokal vazhdimisht ka investuar në përmirësimin e kushteve të shkollave. Po ashtu, nxënësve iu ndanë dhurata simbolike për fillimin e vitit shkollor, kurse 100 nxënësve të cilët kanë kushte më të rënduara ekonomike, do t’u dhurohen çanta me të gjitha pajisjet e nevojshme shkollore.
“Sot erdhëm për t’u uruar nxënësve fillim të mbarë dhe të suksesshëm. Këtë vit në Gostivar janë regjistruar rreth 570 nxënës në klasë të parë, ndërsa Komuna e Gostivarit do t’u dhurojë pajisje shkollore 100 nxënësve të cilët kanë gjendjen sociale pak më të dobët”, u shpreh Limani.
Edhe përgjegjësja për Arsim në Komunën e Gostivarit, Aslian Snopçe theksoi se pavarësisht uljes së numrit të nxënësve, as këtë vit shkollor në Gostivar nuk do të këtë mësimdhënës që do të largohen nga puna.