Larg demokracive të zhvilluara!

e postuar më at 20:01
61 0

Rasti më i freskët ishte me zgjedhjen e liderit të LSDM-së javë më parë, kur kandidat i vetëm ishte kryetari aktual i partisë, Zoran Zaevi, ndërsa praktikë të njëjtë kishte edhe në VMRO-DPMNE, ku më përpara dihej se kush do të ishte lideri i ardhshëm, ndërsa kundërkandidati eventual kishte më shumë një rol aktrimi sesa i konkurrentit të vërtetë. Kështu ndodhë edhe në BDI…

Në shtetet e vendeve të zhvilluara perëndimore, gjatë zgjedhjeve brendapartiake, zgjedhjet kualitative demokratike njihen vetëm atëherë kur ka më shumë kandidatë. Sipas vlerësimeve të shumë ekspertëve politik, vetëm kur kandidojnë më shumë kandidatë për ndonjë funksion partiak, në vendet e zhvilluara nga demokracitë perëndimore njihen si zgjedhje të lira dhe demokratike. Demokracia brendapartiake dhe fraksionet janë çështje normale, ndërsa grupacionet e ndryshme luftojnë për kandidatin e tyre. Në pika të shkurta, për shembull, në SHBA ekzistojnë konventa partiake në të cilën delegatët të partisë Republikane apo të partisë Demokratike, shpalosin kandidatët e tyre dhe më pas vijon matja e fuqisë brendapartiake. Procedura është gati e njëjtë si gjatë zgjedhjes së presidentit të shtetit. Njëjtë është edhe në vendet evropiane. Në Britaninë e Madhe dhe Gjermani, liderët partiak zgjidhen mes disa kandidatëve, në të cilën gjitha grupacionet në parti të nominojnë kandidatin e tyre.

SI PASQYROHET KY PRINCIP NË MAQEDONINË E VERIUT?

Nivelin e demokracisë brendapartiake te partitë politike në vendin tonë, analistët e vlerësojnë kryesisht të dobët. Pa marrë parasysh statuteve të reja dhe paralajmërimet e partive më të mëdha në vend se përkushtohen për respektim të principit demokratik – “një anëtarë, një votë”, në procedurën gjatë zgjedhjes së liderit të partisë, kjo shpeshherë nuk rezulton me nivel më të madh të demokracisë brendapartiake, por në princip zhvillohet në shprehjen e mbështetjes “plebishitare” të vetëm një kandidati.

Analistët bazohen në shembuj të shumtë gjatë zgjedhjeve të liderëve të partisë në skenën politike të vendit tonë. Rasti më i freskët ishte me zgjedhjen e liderit të partisë së LSDM-së javë më parë, në të cilën kandidat i vetëm ishte kryetari aktual i partisë, Zoran Zaev, ndërsa praktikë të njëjtë kishte edhe në VMRO-DPMNE, ku më përpara dihej se kush do të ishte lideri i ardhshëm, ndërsa kundërkandidati eventual kishte një “rol aktrimi” sesa i konkurrentit të vërtetë. Në BDI, situata është edhe më drastike, ku një person udhëheqë me partinë tanimë 20 vite dhe me shumë mundësi në atë pozitë do të qëndrojë deri sa të pensionohet, ndërsa pasuesin e tij, duke u bazuar në praktikat e elitës politike të vendit, me shumë mundësi do ta vendosë vetë ai. Në një situatë të tillë, konkurrenca e anëtarëve të partisë si princip eliminohet, participimi i anëtarëve të thjeshtë në sjelljen e vendimeve për të ardhmen pothuajse nuk ekziston fare, ndërsa një pjesë e madhe e fuqisë mbetet edhe më tej i koncentruar në duart e një apo disa personave të afërt me kryetarin e partisë. E gjithë kjo lë përshtypjen se partitë vetëm në mënyrë deklarative shprehen se janë demokratike, edhe pse në realitet janë në mënyrë ekstreme të centralizuara. Pikërisht kjo është pengesë edhe për përparimin e vendit, sepse nuk mundëson që partitë të bëhen një “fidanë” të demokracisë të politikave konkurruese dhe ideve, të inovacioneve dhe kreativitetit, etj. Por, për gjithçka – partitë politike në RMV udhëhiqen në mendimet e liderit për atë se kush do të bëhet ministër, kush do të gjendet në listat për deputet, kush do të bëhet drejtor i ndonjë ndërmarrje publike, prokurorë, gjykatës, kandidat për kryetarë komune etj.

DEMOKRACIA PARTIAKE ASNJËHERË NUK KA FUNKSIONUAR

Disa nga analistët vlerësojnë se demokracia brendapartiake asnjëherë nuk ka funksionuar në të vërtetë në vend. “Që kur ekziston koha e pluralizmit në Maqedoninë e Veriut, asnjëherë nuk ka pasur demokraci brendapartiake, dhe për këtë arsye nuk kemi as demokraci në shtet”, ka deklaruar për KOHA, profesori universitar, Borçe Davitkovski. Sipas tij, liderët partiak në vazhdimësi i kanë diktuar politikat dhe nuk kanë lënë hapësirë për demokraci brenda partisë. “Gjithë këto janë sulltan parti, pa marrë parasysh a janë të vogla apo të mëdha. Për këto arsye nuk kemi procese demokratike dhe shteti vuan pikërisht nga kjo që në partitë nuk ka demokraci”, është decid, Davitkovski.

Edhe analisti politik, Selim Ibraimi shprehet se partitë në Maqedoninë e Veriut ende nuk janë çliruar nga e kaluara dhe veprojnë si në socializëm. Ai thotë se zgjedhjet për lider brenda partive tona ngjajnë si ato të kohës komuniste. “Rizgjedhja e Zaevit, Ahmetit dhe të tjerëve nuk ndryshon me kohën kur zgjidhej Enver Hoxha, Ramiz Alia apo Shoku Tito ose një komunist lider në Evropën Lindore. Nga frika e humbjes së pozitës të gjithë detyrohen të mbështesin liderin autoritar e despotik. Partitë tona janë si kooperativa socialiste me shefin mendjemadh. Do të duhet më shumë kohë për tu demokratizuar si parti me konkurrencë të vërtetë e jo vetëm për tallje të publikut dhe elektoratit”, ka deklaruar për KOHA, Selim Ibraimi, analist. (koha.mk)

nga kategoria