Lamtumirë mik i dashur!

e postuar më at 16:35
400 0

Gjithsesi, mjerë ata që i ka mbuluar turpi, mjerë fëmijët e tyre se çfarë ofendimesh do të dëgjojnë për ta! Kurse Lurani… Lurani do të kujtohet gjatë e mrekullisht, sepse siç thonë latinët: Ars Longa, Vita Brevis!

Nga Dr. Arben TARAVARI
Më është dashur të adresoj disa letra në jetën time. Kryesisht ato kanë qenë thirrje, protestë dhe rrallë mirënjohje për ndonjë personalitet që i ka hedhur sytë nga kauza e shqiptarëve të Maqedonisë. Kjo e sotmja është letra më e dhimbshme që po publikoj. Është një letër lamtumire, një letër që në fakt është për ata që janë gjallë, të cilët duke e lexuar ndoshta do të kuptojnë më qartë se si vrasës nuk janë vetëm ata që tërheqin këmbëzën e nxisin plumbin të marrë jetë.
Para pak ditësh ndërroi jetë aktori i njohur Luran Ahmeti, i cili ishte miku im e të cilin lutem që Zoti t’ia ketë pranuar faljet e tash ta ketë afër! Pavarësisht që nuk jam as aktor e as artist jam i bindur se Lurani ishte një artist, ndjeshmëria e tij për mirëqenien e njerëzve, humanizmi i tij ishte tregues i qartë që ky zotëri i përkiste një niveli të lartë emancipues të shoqërisë si duhet të jetë elita Artistike. Luran Ahmeti ishte i angazhuar edhe në partinë Aleanca për Shqiptarët, partinë ku jam dhe unë, me siguri e me të drejtë mendonte se është detyra e çdo intelektuali ta çojë zërin lart për të drejtat e liritë e njeriut, të cilat në vendin tonë janë në kushtet e një skllavërie moderne! Gjithsesi gjatë ditëve të mortit është folur aq shumë për dimensionet e tij shoqërore, artistike e aktiviste sa nuk është e nevojshme të prononcohem më gjatë, shto dhe faktin që një neurolog si unë nuk ka tagrin të bëjë analiza rolesh. Këto ditë si e thashë është folur me të drejtë, është lavdëruar me të drejtë Lurani, madje për fatin klasik e të keq, janë folur e thënë gjëra që sa ishte gjallë nuk ia thanë asnjëherë e ta gëzonin sa i dëgjonte… gjithsesi Luranin e donim të gjithë sepse ai burrë ishte një nga ata shqiptarët gjenial, të cilët pikërisht për këtë luftohen e nuk mbështeten nga burokracia e një shoqërie!
I njohur anembanë ku ka shqiptar për rolet e tij, i spikatur si një nga emrat më të mirë të skenës shqiptare të Shkupit, vend të cilit i përkiste, interpretues në seriale televizive që e kishin shndërruar një yll në Turqi, Luran Ahmeti ishte një yll që u shua në një dhomë të zymtë spitali, si dinë të kthehen dhomat e tilla ku vdekja mund jetën.
Luran Ahmeti ndërroi jetë për shkak të komplikacioneve që pati nga infektimi me Covid-19. Natyrisht që nëse nuk do të ishte një personalitet, ai tashmë do të ishte një statistikë. Lurani duket se edhe vdekja e mori me mision, me ikjen e tij ai i ka dhënë emër të gjithë atyre që janë vetëm shifra, indeks së kurbës pandemike. Luran Ahmeti me ikjen e tij duket sikur flijoi jetën për të gjithë ata që ende nuk e marrin seriozisht rrezikun e lartë, më saktë vdekjeprurës nga ky virus.

Vdekja e Luranit është një bisedë midis martirit dhe zotërinjve të pallatit Qeveritar të cilët me siguri e kanë harruar tashmë këtë fatkeqësi, ose ata që ende e kujtojnë nga oborri I pushtetit,janë gëzuar kësaj vdekjeje, sepse Lurani ishte nga ata që nuk rrinte urtë…
Deri ditën që u infektua ai bënte thirrje për respektin e masave antikovid, për ruajtjen e higjienës, distancës dhe mbajtjen e maskave, por mbi të gjitha ai dënonte fort qeverinë për zvarritjen e procesit tē vaksinimit. Sikur ta parandiente i shkreti Luran, kritikonte Zaevin e Ali Ahmetin se paaftësia e tyre po mallkonte me vdekje shumë familje që po humbisnin njerëzit nga pandemia. Qartë e trishtueshëm askush nuk e dëgjoi…kaosi, vdekja dhe dhimbja janë trinia që zotërojnë këtë vend… Është e pabesueshme që ai ra viktimë e rrethanave që denonconte…është e pabesueshme që ai vdiq pikërisht nga ajo që ai quante “paaftësi pushteti”, e tmerrshme që ai kërkonte një vaksinë aq shumë sa sikur ta dinte se nuk i kishte mbetur shumë kohë, e askush nuk ia gjeti dot, as në treg të bardhë e as në treg të zi, sepse nuk kishte fare vaksina…
Është e tepërt të shtoj ndonjë fjalë apeluese ndaj qeverisë përveçse asaj që Lurani, unë e shumë shokë të tjerë, të gjallë e të vdekur kemi thënë dhe sot e themi më fort se kurrë për pushtetarët: DORËHIQUNI!
E tash ky shkrim që e taksa si letër për të gjallët me mesazhe nga dikush që nuk është më do të marrë natyrë më personale, sepse në fund – meriton të përqendrohet aty ku dhimbja është më e madhe se zemra…tek nëna e Luranit, tek baba i tij i trishtë sa vdekjet që ecin, tek vajza e gruaja e tij që kështu si gjenden sot prekin edhe burrat më të fortë, tek motra e tij Linditë, të cilën e shpëtoftë poezia ashtu si ajo na ka shpëtuar të gjithë ne me poezitë e saj…tek kjo familje që i dha shqiptarëve dhe njerëzve të kombeve të tjera një djalë kaq të mirë, e që vdekja e mori para kohe sepse pandemia e gjeti Luranin në Maqedoni…
Ngushëllimet më të sinqerta për këta njerëz që për momentin ngushëllim kanë vetëm Zotin! Ngushëllime dhe për ata që e deshën dhe e qanë, për artistët e teatrit të Shkupit veçanërisht, për profesorët që e deshën, për kolegët që dhimbja i mbyti dhe bënë një nga Lamtumirat më rrëqethëse që është parë ndonjëherë… Luran, mund të kishe jetuar më gjatë shok…ashtu si qindra e mijëra që ikën nga kushtet e këqija të spitaleve, nga vrasësit pasiv që infektonin dhe përçonin se virusi nuk duket, nga vrasësit aktivë që paguhen për të na rregulluar jetën dhe në fakt e rendisin Maqedoninë në listën me vdekshmërinë më të lartë në Rajon nga pandemia…
Gjithsesi, mjerë ata që i ka mbuluar turpi, mjerë fëmijët e tyre se çfarë ofendimesh do të dëgjojnë për ta! Kurse Lurani… Lurani do të kujtohet gjatë e mrekullisht, sepse siç thonë latinët: Ars Longa, Vita Brevis!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

J X

nga kategoria