“La Verita”: Kina ia ktheu Maqedonisë paratë e vaksinave për shkak të kompanisë fantome

e postuar më at 10/03/2021
81 0

Gazeta italiane “La Verita”, sot në tekstin me titull “Lufta në mes Kinës dhe Rusisë për Ballkanin”, ka shkruar se arsyeja për kthimin e paradhënies së Maqedonisë për vaksinat “Sinofarm”, është se marrëveshja duhej të zhvillohej nëpërmjet një kompanie fantome me seli në Hong Kong.

“La Verita” shkruan se kulmi i menaxhimit të keq dhe blerjes së vaksinave ka ndodhur edhe një herë në Maqedoni ku Qeveria e Zoran Zaevit është e gatshme që në llogari të shëndetit të qytetarëve të luftojë për shpëtimin e tij.

“Në një intervistë televizive në janar, Zoran Zaev i informoi qytetarët se asnjëherë nuk do të kërkojë ndihmë nga Kina dhe Rusia, pasi vendi pas anëtarësimit në NATO, duhet të mbështetet tek aleatët perëndimor”, shkruan “La Verita”.

Kjo gazetë ka siguruar dy dokumente, që dëshmojnë të kundërtën e asaj që ka thënë kryeministri Zoran Zaev.

Zaev: Furnizimi me vaksina ka shkuar nëpërmjet firmave private, por edhe nëpërmjet “China Power”

“Dokumenti i parë tregon se ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ka dërguar kërkesë tek Sinofarm më 25 dhjetor 2020, dhe një tjetër më 25 janar 2021, për të siguruar vaksina. Kjo konfirmon presionin e Qeverisë së RMV-së për të finalizuar marrëveshjen. Zaev më vonë pranoi se është drejtuar në Pekin, por në fund të janarit të këtij viti, por Pekini komunist ia ktheu paradhënien”.

“Fakti që një kompani private, e cila sipas analizave fillestare nuk ka një themel të fortë, por ka fonde të mjaftueshme të depozituara në bankën gjermane “Deutsche Bank”, u përfshi nga qeveria e RMV-së në ndërmjetësim, e la Pekinin zyrtar të dyshonte se ata mund të përballen me mashtrim, gjë që çoi në anulimin e procedurës. Në fund të ditës, Kina i është përmbajtur parimit të menaxhimit të drejtpërdrejtë të ndihmës dhe komisioneve me qeveritë që nga fillimi i pandemisë. Një përpjekje tjetër e mundshme për korrupsion e kryer nga rrjeti i Zaev, madje edhe në dëm të shëndetit të qytetarëve, këtë herë u përplas me kokëfortësinë e regjimit komunist kinez”, shkruan “La Verita”.

Ndërsa kryeministri Zaev, sot ka reaguar në lidhje me akuzat e gazetës italiane. Ai tha se hedh poshtë çdo pretendim se ka pasur qëllim të keq gjatë tentimit për të siguruar vaksinën anti-covid.

“Absolutisht mohoj çdo qëllim të keq dhe veprim joligjor. Kemi pasur letër për interesim të disa kompanive, jo vetëm nga Kina”, tha Zaev, duke shtuar se për blerjen e vaksinës kineze është vendosur të shkohet nëpërmjet ambasadës dhe MPJ-së kineze.

nga kategoria