Kuvendi ishte gjysmë-funksional disa muaj përpara se opozita ta bënte të zakonshëm dorëzimin e amendamenteve

e postuar më at 19:51
67 0

Kuvendi ishte gjysmë-funksional disa muaj përpara se opozita ta bënte të zakonshëm dorëzimin e mijëra amendamenteve me qëllimin e vetëm, bllokimin e procedurave. Kjo sepse një pjesë e komisioneve parlamentare nuk thirreshin, nuk përfundonin në kohë ose anuloheshin për arsye të ndryshme. Ekzistencën e këtij fenomeni e kishte pranuar edhe vetë kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, i cili beson se ky është rezultat i përplasjeve politike.

“Kryesisht është reagim-kundër-reagim. Kur opozita nuk thirr disa seanca të komisioneve të cilat i drejton, reagim i shumicës është që një pjesë të komisioneve që shumica i drejton por ku ka propozime të opozitës të mos i thirrë. Për mua përgjegjës është ai që e ka për detyrë t’i thirr seancat por nuk i thirr, edhe te njëra palë edhe te tjetra”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit (10.03.2021).

Xhaferi thotë se sistemi nuk njeh përgjegjësi disiplinore për deputetin që nuk e përmbush detyrën e tij, përveç se përgjegjësisë para qytetarëve.

Deputetët këmbëngulin se janë të përgjegjshëm për detyrën e tyre dhe akuzojnë rivalin politik për bllokimin.

“Sigurisht se mbajmë përgjegjësi. Jemi plotësisht aktiv në të gjitha aktivitetet për punën e Kuvendit. Por, ne si deputetë të opozitës nuk do të lejojmë të jemi thes boksi për pushtetin”, pohoi Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

“Unë jam i sigurt se një pjesë e mirë e tyre realizohen. Por, për fat të keq, në situata të caktuara ku kemi deputetë të VMRO-DPMNË-së sipas metodologjisë për ndarjen e komisioneve, seancat janë frenuar, dhe kemi edhe tani situata, ku zgjidhje të rëndësishme ligjore, janë frenuar në komisione”, theksoi Kostadin Kostadinov, LSDM.

Më e vjetra nga seancat e këtilla të komisioneve dhe e papërfunduar akoma, është seanca e parë e Komisionit hetues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve e thirrur fillimisht më 22 tetor 2020. Kryetar i saj është deputeti i opozitës Halil Snopçe.

“Deri me tash kam caktuar dy mbledhje të komisionit anketues për të drejtat dhe liritë e njeriut. Ato mbledhje kanë pasur të bëjnë me parashtresa të qytetarëve të cilët kanë pasur probleme me shkeljen e të drejtave te tyre në vendin e punës. Normalisht se parashtresat kanë pasur të bëjnë me ankesa ndaj instancave të shtetit dhe ato instanca i kontrollon qeveria. Si pasojë e saj shumica qeveritare nuk ka marrë pjesë aspak. Problemi tjetër është mospërkthimi i materialeve në gjuhën shqipe”, theksoi Halil Snopçe, deputet i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Nuk është përfunduar akoma as seanca e 5 e Komisionit për financa dhe buxhet nga 13 nëntori 2020. Edhe me atë drejton deputeti i opozitës Timço Mucunski. Por pa epilog kanë mbetur edhe seancat e trupave punues të drejtuar nga pushteti. Mes tyre, e papërfunduar akoma është seanca e 14 dhjetorit e Komisionit për zgjedhje dhe emërime e drejtuar nga deputeti i shumicës Kostadin Kostadinov dhe ajo e 7 dhjetorit e Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive, po ashtu e drejtuar nga deputetja e shumicës Sonja Mirakovska./Alsat

nga kategoria