Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, prezantoi të mërkurën shtyllën e parë të platformës së re politike të kësaj force – mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar. Ai i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, pa dallim partie apo bindjeje politike, që të bashkohen rreth kësaj kauze madhore.
“Mbrojtja e identitetit nuk është vetëm një çështje politike – është një detyrë dhe përgjegjësi kombëtare,” theksoi Taravari.
Në këtë drejtim, ai prezantoi katër shtylla konkrete të angazhimit politik dhe shoqëror të Aleancës për Shqiptarët:
Zbatimi real i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të gjitha institucionet shtetërore dhe administratën publike, pa kompromise dhe vonesa.
Ruajtja e emërtimeve tradicionale shqiptare të vendbanimeve, rrugëve dhe institucioneve, si element thelbësor i identitetit historik dhe kombëtar.
Mbrojtja e trashëgimisë kulturore shqiptare, përmes restaurimit dhe ruajtjes së objekteve me rëndësi historike e kulturore në mbarë vendin.
Forcimi i familjes tradicionale shqiptare dhe i vlerave morale, të cilat Taravari i cilësoi si “bazë e unitetit shoqëror dhe stabilitetit kombëtar.”
“Vetëm përmes bashkimit dhe përkushtimit mund të arrijmë barazi reale dhe përfaqësim të denjë në Maqedoninë e Veriut,” u shpreh Taravari.
Ai shtoi se këto parime janë themeli i një vizioni të ri kombëtar që synon ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë, më të bashkuar dhe më dinjitoze për shqiptarët në vend.