Smart News

“Kur krejt vrapojnë për të hyrë në Qeveri, ne dalim”, Taravari: Më mirë të kthehemi te populli

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari nga Vrapçishti në hapjen e shtabit për zgjedhjet lokale, bëri të ditur se në organet partiake do të vendoset për dalje nga Qeveria, transmeton TV21. Taravari mes tjerash theksoi se kanë kërkuar përkrahje për të sjellë ndryshimin, por siç shtoi ky ndryshim nuk është ndryshim që e kanë prit shqiptarët.

“Kërkuam përkrahje vitin e kaluar për ta sjellë ndryshimin, por ky ndryshim që e kemi nuk është ndryshimi që e kanë pritur shqiptarët dhe është fakt i pamohueshëm. Qeveria disi u humb në rrugën drejt BE-së. Situata në administratën shtetërore e shihni, ka një margjinalizim të jashtëzakonshëm dhe tendenca që shqiptarët të margjinalizohen dhe ASH-ja ka vendosur që nesër ose pasnesër që në organet partiake të vendoset me dinjitet, kur krejt vrapojnë për të hyrë në Qeveri ne jemi mësuar të dalim prej Qeverie. Dalim prej Qeveria për t’u rikthyer më fuqishëm sidomos në pushtetin lokal e mandej edhe në pushtetin qendror. Dëshirojmë që kur jemi në Qeveri të mos jemi kukull. S’mund ta lejojmë këtë, ose do të jemi si duhet, ose më mirë mos jemi në Qeveri, sepse nuk dua që aktivistët të mendojnë se ne jemi akomoduar atje dhe nuk mendojmë për shqiptarët. Nuk mund t’i punësojmë, nuk mund t’ju kryjmë punë prandaj më mirë të kthehemi te populli”, tha mes tjerash kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.

Exit mobile version