Në Korridorin e Emërgjencës pranë Spitalit të Kumanovës mbrëmë u përballëm me një pamje alarmante: përplot pacientë në gjendje të rëndë, ndërsa vetëm një mjek kujdestar përpiqej t’u shërbente me qetësi dhe profesionalizëm.
Pacientët vinin njëri pas tjetrit. Një fëmijë kishte rënë nga trotineti, një tjetër kishte goditur kokën. Dy vajza të reja erdhën të lënduara rëndë nga një aksident trafiku. Më vonë u paraqit edhe një aktor i dëmtuar gjatë një performance në skenë. Disa nga këto raste ishin dërguar në Shkup, por u kthyen prapa për shkak të mungesës së raportit nga radiologjia. Spitalit gjithashtu po i mungonte edhe anesteziologu.
Situata u përkeqësua më tej kur u mësua se vetëm dy autoambulanca ishin në dispozicion, të cilat tashmë ishin nisur drejt Shkupit. Mjeku kujdestar – dr. Fati, punonte i vetëm, i mbingarkuar, por i palëkundur, duke i sqaruar familjarët e shqetësuar se sa të kthehen ambulancat, pacientët do të transferohen menjëherë.
Ky është realiteti i hidhur i sistemit shëndetësor që po rrënohet: mungesë stafi dhe mungesë mbështetjeje institucionale.
Mjekët tanë janë heronj të heshtur, që përballen çdo ditë me pamundësinë. Shumë prej tyre janë larguar drejt Perëndimit.
Disa reparte janë në rrezik të mbyllen për mungesë resursesh, ndërsa politika, në vend se të përmirësojë gjendjen, mendon vetëm si të përfitojë nga vetë sistemi që po shembet.
Koha është tani që si shoqëri të kuptojmë rëndësinë e profesionistëve të ndershëm. T’u japim mbështetje dhe respekt. Meriton të revoltohemi ndaj politikanëve dështakë, jo ndaj atyre që japin gjithçka për të na mbajtur gjallë. (INA)