Kthimi i kredive bëhet më i vështirë për qytetarët

e postuar më at 16:54
72 0

Qytetarët dhe kompanitë të cilat shfrytëzuan masën anti krizë të qeverisë që ka të bëj me prolongimin e pagesës së kësteve të kredive, nga fillimi i këtij muaji do të duhet të rifillojnë pagesën e rregullt të tyre.

70 për qind e qytetarëve dhe kompanive të cilët kishin marr kredi, e shfrytëzuan masën e qeverisë që të prolongojnë pagesën e kësteve në një afat prej gjashtë muajsh, përkatësisht nga 1 prilli deri më 30 shtator.

Kjo masë e qeverisë, më pas u vazhdua edhe për 6 muaj të tjerë, por shfrytëzuesit duhej të plotësonin kritere më rigoroze, gjegjësisht të jepnin dëshmi se të ardhurat u janë pakësuar si pasojë e krizës së pandemisë.

Prolongimin e dytë të pagesës së kësteve të kredisë, e shfrytëzuan 7.4 për qind e marrësve të kredive, duke prolonguar pagesën e kësteve nga 1 tetori i vitit të kaluar deri më 1 prill të këtij viti.

Por për këtë kategori të qytetarëve, vazhdimi i pagesës së kësteve të kredisë, që tashmë është bërë i obliguar, bëhet shumë i vështirë, pasi këstet e kredive tanimë janë bërë më të larta, meqë në to është përfshirë edhe norma e interesit gjatë periudhës një vjeçare, gjersa ata nuk kanë paguar këstet.

Simona Cvetkovska, thotë për Radion Evropa e Lirë se pagesa e kësteve të dy kredive konsumatorë që ka marr ajo bashkë me bashkëshortin, është bërë më e vështirë si rrjedhojë e zvogëlimit të të ardhurave në buxhetin e familjes, për shkak të zvogëlimit të orarit të punës ku ishte e angazhuar në sektorin e hotelerisë.

Ajo bën të ditur se tani ka marr njoftim nga banka se duhet të paguajë këste më të larta, sepse në to është përfshirë edhe norma e interesit nga muajt që nuk është paguar asgjë.

“Pas katër muajve që nuk paguam kredinë, kërkuam të vazhdojmë me pagesën e kësteve, por nga banka na u tha se duhet të paguajmë 12 mijë denarë (200 euro), për të mbuluar kamatën për kredinë që kemi marr për banesën dhe më pas të vazhdojmë me pagesën e rregullt të kësteve, ose kjo vlerë të ndahet në këstet e mbetura. Pra, me pak fjalë, tani na bie të paguajmë më shumë”, thotë Cvetkovska.

Përderisa Shefkije Ahmeti, edhe pse ka pasur shumë vështirësi gjatë kësaj periudhe, ka vazhduar me pagesën e kësteve të banesës, duke marrë hua nga miqtë, meqë pas konsultimeve me bankën komerciale, ka kuptuar se prolongimi i pagesës së kredisë nuk pezullon dhe rritjen e kamatës përkatësisht normës së interesit.

J X

nga kategoria