U dëshmua përfshirja e Serbisë në sulmin në Banjskë, por Bujar Osmani nuk e rishqyrtoi pjesëmarrjen në Ballkan të Hapur, madje përkundrazi sipas Kryetares së Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Arbëreshë Kryeziu Hyseni ai as që u interesua për hetimin e Policisë së Kosovës, e relativizoi situatën dhe nuk e dënoi sulmin në Banjskë të Zveçanit asnjëherë.
“Hetimi i Policisë së Kosovës është përshëndetur nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë sa u përket dëshmive që i ndërlidhin sulmuesit me shteti serb. Është për keqardhje që Bujar Osmani si Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut asnjëherë nuk e dënoi sulmin e Banjskës por mbajti vazhdimisht pozicion neutral dhe relativizues. Ai madje as nuk ka shfaqur ndonjë interesim për rezultatet e hetimit të Policisë së Kosovës që dëshmojnë përfshirjen shtetërore serbe. Rrjedhimisht, Maqedonia e Veriut ka ngelur e vetme në Ballkanin e Hapur bashkë me Serbinë” shkruan Kryeziu Hyseni në facebook.
Ajo shton më tej se Osmani si mbrojtës dhe përfaqësues i Ballkanit të Hapur nuk meriton votën e shqiptarëve në garën presidenciale të 24 prillit.
“Arben Taravari është rreshtuar përkrah Kosovës e kundër shtrirjes së ndikimit ruso-serb në rajon.
Me këto zgjedhje, vëllezërit tanë në Maqedoninë e Veriut duhet ta mbyllin faqen e Ballkanit të Hapur dhe të hapin faqen e ndryshimit duke hapur një rrugë të re kombëtare, që vlen”, theksohet në postimit e Kryetares së Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.
Ky reagim i Arbëreshë Kryeziu Hysenit vjen pasi disa ditë pas sulmit paramilitar në Banjskë të Zveçanit, ish-Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani pati deklaruar se Serbia duhet të dëshmojë se nuk kishte përfshirje shtetërore, përndryshe Maqedonia e Veriut do të rishqyrtonte pjesëmarrjen në nismën Ballkani i Hapur, ndërsa më 24 prill bëhen 6 muaj nga ky sulm.